S’ka liberalizim vizash as këtë vit, kritikohen institucionet për procesin e lobimit

Aktuale

S’ka liberalizim vizash as këtë vit, kritikohen institucionet për procesin e lobimit

Më: 20 korrik 2019 Në ora: 14:00
Ilustrim

Çështja e liberalizimit të vizave ka ndarë në dysh partneret e koalicionit qeverisës, tashmë në largim. Derisa kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj deklaron se vendimi për liberalizim të vizave për Kosovën është çështje javësh kur do të merret, të njëjtën gjë nuk e thotë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Ky i fundit nuk preferon të jap afate kohore se kur pritet që Kosova të marrë liberalizimin e vizave.

Vetëm një ditë para se të jepte vendimin për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e kryetarit të qeverisë, kryeministri tashmë në dorëheqje Ramush Haradinaj, pati deklaruar se është çështje javësh kur Kosova do ta merr lajmin e merituar për liberalizimin e vizave.

Haradinaj: Liberalizimi është çështje krejtësisht vetëm e javëve

“Çështja e liberalizimit të vizave më vjen keq që ditë më ditë një vit nuk është kryer, por po ashtu po dëgjojmë lajme të mira që procesi është shumë më përpara. Në vizitën e ministrit të shëndetësisë që është anëtarë i kabinetit të kancelares Merkel, Jens Spahn, e kemi biseduar edhe këtë temë. Unë mendoj se më mirë sesa ndoshta edhe kemi shpresuar jemi në çështjen e liberalizimit të vizave. Pra, kryesuesja e Komisionit është gjermane, gjermanët kanë marr po them ashtu një iniciativë në të. Mendoj që tani është çështje krejtësisht vetëm e javëve, e di që disa po thonë mos po nxitohesh kryeministër, ne jemi vonuar, e vërteta është se jemi vonuar, por është çështje javëve që ta marrim këtë lajm të merituar, na takon ky lajm se i kemi përmbushur kriteret”, tha ai. 

Por, pesimist në këtë aspekt tregohet ministri në dorëheqje i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ka ngurruar të japë një afat të caktuar për liberalizimin e vizave.

Ai thotë se dëshirë ka që të ndodh qysh nesër, por që nuk premton asgjë.

Pacolli: Nuk mund të premtoj asgjë për vizat, jemi duke punuar

“Mos më bëni të premtoj asgjë. Unë me vullnet do të ju thoja: ‘nesër’. Por, nuk mundem t’iu them. Jemi duke punuar, jemi në rrugë të mirë për këtë”, tha ai.

E njohës të integrimeve evropiane vlerësojnë se institucionet e vendit nuk kanë qenë serioze në përmbushjen e obligimeve të tyre, por edhe në procesin e lobimit për liberalizim të vizave.

Kështu , profesori universitar Afrim Hoti, dhënien e datave për liberalizim e quan spekulim të llojit të vet.

Hoti: Dhënia e datave për liberalizim, spekulim i llojit të vet

“Çfarëdo dhënie e datave konkrete nuk është asgjë tjetër përveçse një spekulim i llojit të vet dhe që prapa këtyre qëndrimeve nuk ka asgjë tjetër përpos politikë dhe tendenca për konsum të brendshëm... 3:10 Kjo mendoj se është edhe e pavend të diskutohet, është krejtësisht paradokasle që ministrat të kenë qëndrime antagoniste me shefin e Qeverisë. Fundi i fundit po flasim për qëndrimin e të njëjtit institucion”, thotë ai.

Ai thotë se pozicioni i pa qartë i BE-së dhe mungesa e seriozitetit nga ana e institucioneve të Kosovës në përmbushjen e detyrave, janë faktorët kryesor që kosovarët nuk gëzojnë ende lëvizjen e lirë.

E në kuadër të kësaj, Hoti thotë të hyjë edhe mungesa e një fushate të qartë dhe të koordinuar.

Ai identifikon 4 problematika që sipas tij, kanë ardhur si rezultat i një procesi të komplikuar për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Hoti: Problematika kryesore lidhet me paqartësinë e BE-së kundrejt Kosovës

“Problematika kryesore lidhet me paqartësinë e BE-së kundrejt Kosovës dhe problematikave politike që disa shtete anëtare po mbajnë kundër Kosovës.  E dyta, normalisht lidhet me fushatën jo të duhur dhe jo të plotë për  të lobuar për liberalizimin e vizave, të cilat normalisht nuk kanë dhënë rezultatin e duhur, sepse nuk kemi pasur një fushatë të vazhdueshme duke mbajtur në kontakt të gjitha vendet anëtare për zhvillimet në Kosovë. Problemi i tretë janë zhvillimet e brendshme politike, të cilat deshëm ose s’deshëm reflektojnë efektin e tyre negativ dhe kjo tashmë po shihet. Dhe, pengesa e katërt lidhet me çështjen e joseriozitetit për kryerjen e detyrave, të cilat janë vendosur si prioritet të shteteve anëtare”, thotë ai.

E njohësi i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK thotë se procesi i liberalizimit të vizave është politizuar shumë.

Ai shprehet se deklaratat e shumta të përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, që fundi i këtij viti do të jetë koha e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, kanë bërë që qytetarët të humbasin besimin tek ta.

Kryeziu: Çdo gjë që kanë bërë rreth këtij procesi ka qenë për përfitime politike

“Çdo gjë që e kanë bërë rreth këtij procesi ka qenë për përfitime politike. Barra e vërtetë bie mbi qytetarët e zakonshëm, të cilët sorollaten ambasadave për ta marrë një vizë qoftë edhe për nevoja mjekësore. Ndërsa pushtet-mbajtësit nuk e kanë fare këtë problem. Të gjithë janë të pajisur me viza, disa me shtetësi të e vendeve ku lëvizet lirshëm në zonën Shëngen. Madje, kjo nuk është fare temë e diskutimit për ta”, deklaron ai.

Ai bënë përgjegjës institucionet e vendit që kanë bërë që të mbretëroj një situatë e tillë çfarë po mbretëron sot në vend.

Teksa tregohet pesimist se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, do të shkojë brenda këtij viti drejt Këshillit Evropian.

Kryeziu: Vështirë që dosja e Kosovës të shkojë drejt Këshillit Evropian

“Unë e shoh të vështirë që brenda këtij viti do të konsumohet procedura vendimmarrëse, që i bie që dosja jonë të shkojë drejt Këshillit të Bashkimit Evropian”,  thekson ai.

Krejt në fund, Kryeziu tërheq vërejtjen se nuk mund të bëhet lobim për viza duke shkelur ligjet pozitive të vendit, pasi ndryshe vendeve anëtare të BE-së u dërgohet sinjal negativ nga ana e Kosovës se si nuk zbatohet ligji në vend.

Kujtojmë se raporti për Vendin për vitin 2019 është publikuar më 29 maj të këtij viti. Ndërsa bazuar në të, shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova pati deklaruar se liberalizimi i vizave duhet të ndodhë sa më shpejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat