Ky është zëvendësministri që do të kthehet si punëtor në Komunë

Aktuale

Ky është zëvendësministri që do të kthehet si punëtor në Komunë

Më: 21 korrik 2019 Në ora: 15:33
Bashkim Krasniqi ka vendosur të kthehet si shërbyes civil në Fushë Kosovë aty ku kishte punuar më herët.

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal s’do të mbetet pa punë kur t’i përfundon mandati. Bashkim Krasniqi ka vendosur të kthehet si shërbyes civil në Fushë Kosovë aty ku kishte punuar më herët.

Zëvendësministri në dorëheqje i Pushtetit Lokal, Bashkim Krasniqi ka vendosur të kthehet si shërbyes civil në Komunën e Fushë Kosovës posa t’i pushojë mandati.

Këtë deklaratë e ka dhënë tri ditë pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje me çka pritet t’ju përfundojë mandati edhe gjithë të emëruarve politikë në Qeveri.

“Unë kam punuar në Komunën e Fushë Kosovës më parë dhe kjo do të thotë që përveç politikës mund të kthehem përsëri në vendin e punës si shërbyes civil. Përveç kësaj unë jam edhe asamblist i Komunës së Fushë Kosovës”, ka thënë Krasniqi, të dielën.

Zëvendësi i Mahir Jagcilarit, i diplomuar në drejtimin e shkencave politike, kishte punuar në komunë si shërbyes civil para se të emërohej zëvendësministër nga Haradinaj. Ai potencoi gjithashtu se aktualisht është edhe asamblist në këtë Komunë.

Qeveria e Ramush Haradinaj përpos shumë skandaleve do të mbahet mend edhe për numrin rekord të zëvendësministrave. Askush s’e ka ditur saktë sa janë emëruar, por, janë përmendur më shumë se 80.

Image

Sidoqoftë, zëvendësministri në dorëheqje ka lënë mundësinë hapur që përsëri t’i hyjë politikës me Partinë Liberale Egjiptiane, ku edhe është anëtar i kryesisë.

“Unë i përkas komunitetit egjiptian dhe nëse vendi shkon në zgjedhje, unë prap do të kandidoj së bashku me partinë time”, ka thënë Krasniqi.

Zëvendësministri kujtoi edhe njëherë kontributin e tij gjatë këtyre viteve shërbim, duke theksuar se me ndihmën e tij u arrestua i dyshuari i për vrasjen e 9-vjeçarit nga Fushë Kosova dhe po i ndërtohet shtëpia kësaj familje.

“Unë si përfaqësues të komunitetit egjiptian, në cilësinë e zëvendësministrit kam vizituar të gjitha gjitha zyret e komuniteteve në të gjitha komunat duke kërkuar raport për atë se çka bëjnë zyrat për komunitete. Gjithashtu unë personalisht kam kontribu në kapjen e të dyshuarit për vrasjen e 9-vjeçarit dhe ndihmën që i është ofruar kësaj familje për t’iu ndërtuar një shtëpi së shpejti”, ka shtuar Krasniqi.

Express ka shkruar sot se edhe një Zëvendësministër tjetër i Qeverisë s’do të mbetet keq kur t’i përfundon mandati. Izmi Zeka ka thënë se do t’i kthehet punës si mësimdhënës i historisë.

“Unë jetën nuk e kam të gjithë politikë”, ka thënë Zeka, tri ditë pasi Shefi në Qeveri i dha dorëheqje. “Me profesion jam historian e varet prej rrethanave se si do të vijnë. Unë lirshëm mund t’i kthehem profesionit të historianit dhe asgjë nuk përfundon këtu. Zanati më i ndjeshëm për mua është vetë profesioni im”, ka thënë Zeka që është zyrtar i PDK’së.

Ndryshe, Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR.

Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

Kohëve të fundit, lideri i AAK’së prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues. Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat