A do të jetë Michael O’Reilly përsëri avokati i Ramush Haradinajt?

Aktuale

A do të jetë Michael O’Reilly përsëri avokati i Ramush Haradinajt?

Më: 22 korrik 2019 Në ora: 16:47
Ramush Haradinaj

Për të tretën herë, Ramush Haradinaj do të paraqitet në Hagë për intervistim. Nëntë vite pas përfundimit të procesit gjyqësor ndaj tij në Hagë, ai ka marrë ftesë për t’u intervistuar sërish atje. Por, këtë herë ftesa i ka ardhur nga Gjykata Speciale. Ndërkohë, ende nuk dihet se kush do të jetë avokat i kryeministrit në dorëheqje. Gjasat janë që edhe këtë herë përfaqësues ligjor Haradinajt do të jetë Michael O’Reilly i cili aktualisht është edhe këshilltar i Haradinajt.

Ramush Haradinaj do të marrë rrugë sërish drejt Hagës gjatë kësaj jave. Arsye për këtë udhëtim është ftesa që ka pranuar të premten nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për t’i hetuar ish-ushtarët e UÇK’së që dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime të tjera nga janari i 1998’ës e deri më dhjetor të vitit 2000.

Haradinaj ka bërë të ditur se atje do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit. Por, se kush do të jetë përfaqësuesi ligjor i Haradinajt gjatë intervistimit ende nuk po dihet.

Express ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit që nga e shtuna, por nuk ka marrë përgjigje. Gjasat janë që edhe kësaj here njëri prej avokatëve të Haradinajt të jetë Michael O’Reilly, i cili e ka mbrojtur Haradinajn në dy proceset gjyqësore ndaj tij.

O’Reilly kishte shkruar edhe libër për kryeministrin në dorëheqje, të cilin e kishte titulluar “Haga e Ramush Haradinajt”. 

Ndryshe, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e Kryeministrit të Kosovës, të premten. Shkak për këtë vendim ishte ftesa për intervistim nga Gjykata Speciale.

“Kam dhënë dorëheqje prej kryetarit të qeverisë. Nga ky moment japim dorëheqje si qeveri. Jam ftuar të intervistohem si i dyshuar nga Specialja.  Javën tjetër do të kem paraqitje. E kam vlerësuar se s’mundem  mu paraqitë si kryetar i qeverisë edhe me rujt nderin e kryetarit të qeverisë dhe shtetit”, ka deklaruar Haradinaj.

Përveç Haradinajt, ftesë për intervistim kanë marrë edhe ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, ish-zëdhënësi i UÇK’së, Jakup Krasniqi, Sokol Bashota dhe eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat