PDK insiston – zgjedhjet të mbahen sa më parë

Aktuale

PDK insiston – zgjedhjet të mbahen sa më parë

Më: 22 korrik 2019 Në ora: 19:39
Ilustrim

Vendimi i befasishëm i Ramush Haradinajt për t’u dorëhequr nga posti i kryeministrit – pas ftesës që e ka marrë nga Gjykata Speciale – ka sjellë një situatë të re në vend.

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se partia ku ai bën pjesë në këtë situatë të re të krijuar kërkon zgjedhje.

“Si një parti që ka shtrirje jashtëzakonisht të madhe në gjithë territorin dhe kur sapo kemi dalë nga zgjedhjet e brendshme, ne kemi pasë dhe kemi disponim që të shkohet në zgjedhje në mënyrë që ta konfirmojmë besimin e madh që e kemi te qytetarët në gjithë Kosovën”.

“Zgjedhjet duhet të jenë sa më të shpejta dhe sa më herët të caktohet data e zgjedhjeve do të jetë aq më mirë”.

Por, a e zuri në befasi vendimi i Ramush Haradinajt partinë me të cilën është në koalicion qeverisës?

“Ne si parti politike kemi strukturat tona dhe natyrisht që na vjen keq, që jo vetëm Ramush Haradinaj, por edhe shumë luftëtarë të UÇK-së kanë marrë thirrje nga Gjykata Speciale dhe kjo nuk është lajm i mirë për askënd”.

“Ka qenë vendim personal i Ramush Haradinaj që të kërkojë dorëheqje dhe më pastaj të vazhdojë punën si kryeministër në dorëheqje edhe të kërkojë zgjedhje të reja”.

Në këtë situatë politike në Kosovë, a janë zgjedhjet zgjidhje për Uran Ismailin?

“Ne e kemi pasë të qartë. PDK ka thënë që zgjedhjet janë të paevitueshme dhe duhet t mbahen sa më herët që është e mundur”.

“Jemi mjaft të organizuar, kemi pasë takime me kryetarët e degëve, kemi inicuar krijimin e Shtabeve Zgjedhore dhe kemi pasë në kërkesë nga të gjitha organet e partisë që të fillohet sa më parë përgatitja për zgjedhje”.

“Ne si parti kemi qenë mjaft të qartë, edhe nga kryetari Kadri Veseli dhe nga kolegë të tjerë, që zgjedhjet të ndodhin sa më herët që është e mundur”.

Kur PDK-ja po insiston të kërkojë që zgjedhjet të mbahen sa më parë, a ka kjo partia vija të kuqe për koalicionet e mundshme?

“Vijat e kuqe realisht janë zbehur. Do të shohim edhe këto ditë dhe e kemi parë edhe më herët qe njerëzit për pak vota më shumë fillojnë fyerje ndaj njëri-tjetrit, krijojnë armiq virtualë ose krijojnë miq nga ata që deri vonë i kanë fyer”.

“PDK gjithnjë ka thënë që vijat e kuqe i ka me ata që janë jashtë kufijve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat