Kadri Veseli refuzon ta dërgojë raportin e shtetasve turq në Prokurori

Aktuale

Kadri Veseli refuzon ta dërgojë raportin e shtetasve turq në Prokurori

Më: 22 korrik 2019 Në ora: 20:05
Kadri Veseli

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli nuk pranoi që të dorëzojë raportin e komisionit hetimor për rastin e shtetasve turq në Prokurorinë Speciale. Veseli duke e zvarritur këtë proces me javë të tëra, iu është përgjigjur sot deputetëve duke iu thënë se raportin mund ta përcjellë kushdo e se është mjaftuar me publikimin e tij në faqen zyrtare të Kuvendit. Partia Demokratike këtë raport e kundërshtoi edhe me votë.

Ka një muaj prej kur në Kuvend të Kosovës, deputetët votuan pro raportit të hartuar nga komisioni hetimor për rastin e njohur si shtetasit turq.

Megjithatë, ky raport me më shumë se 80 faqe nuk u përcollë në Prokurorinë Speciale, që po kryen hetimet për këtë rast.

Deputetët e këtij komisioni, kishin bërë kërkesë në Kuvend që i njëjti të përcillej, mirëpo, ka disa javë e ata nuk kanë marrë përgjigje.

Pas disa insistimeve, të njëjtëve iu është thënë se ky institucion e ka kryer punën e tij duke publikuar raportin në faqe, tash, atë mund ta përcjellë në Prokurori kush të dojë.

Këta e ka konfirmuar për Express, kryetari i këtij komisioni Xhelal Sveçla.

“Po i kemi kontaktuar sot, na kanë thënë se Kadri Veseli ka deklaruar se është publikuar në web faqe raporti, e se në prokurori mund ta dërgojë kush të dojë”, tha Sveçla.

Derisa deputeti i VV-së po thotë se Veseli nuk ka dashur që të njëjtin ta përcjellë në emër të Kuvendit.

Sveçla po thotë se Veseli nuk i ka shfrytëzuar kompetencat e tij asnjëherë në të mirë të vendit.

“Kryetari i Kuvendit kurrë nuk e ka luajtur rolin e kryetarit të kuvendit më shumë të kryetarit të partisë që i ka rujtë interesat parciale se sa i ka mbrojt rendin e ligjin në Kosovë. Ky këto kompetenca kurrë nuk i ka shfrytëzuar për të mirën e vendit, gjithmonë për të mirën e grupeve dhe individëve të caktuar”, tha kreu i këtij komisioni.

I njëjti ka shtuar gjithashtu se këtë raport pas përgjigjes së krye parlamentarit do ta dorëzojnë së bashku me nënkryetarin, Driton Selmanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat