VV tregon se çfarë do të ndërmarrë nëse presidenti Thaçi manipulon për zgjedhje

Aktuale

VV tregon se çfarë do të ndërmarrë nëse presidenti Thaçi manipulon për zgjedhje

Më: 23 korrik 2019 Në ora: 15:13
Glauk Konjufca dhe Besnik Bislimi

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të caktohet sa më shpejt data e zgjedhje të reja dhe ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë në asnjë mbledhje ku do të diskutohet mundësia e mandatarit të dytë për kryeministër.

Në të kundërtën kjo parti opozitare ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për të shpërbërë Kuvendin e Kosovës, teksa i bën me dije kryeministrit në dorëheqje  se ai nuk mund të merr asnjë vendim madhor, por formalisht deri ne zgjedhje të reja të kryejë funksionin e tij.

Kjo parti opozitare u shpreh kategorik kundër një qeverie teknike që mund të ndodhë dhe sërish i bëri thirrje LDK-së për një koalicion parazgjedhor.

Shefi i deputetëve të VV-së, Glauk Konjufca, përmes një konference për media tha se qëndrimet e tyre janë të qarta që sa më shpejt të ketë zgjedhje të reja.

Konjufca: Vetëvendosje bën thirrje për caktimin e sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve

“Ne mendojmë që vetëm mbledhja ku caktohet data e zgjedhjeve të reja ka kuptim në Kosovë. Kështu që nëse ne e identifikojmë që presidenti po manipulon, po e keqpërdor pozitën e vet dhe po e loz skenarin e PDK-së, Lëvizja Vetëvendosje në javën e ardhshme së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilës do t’i drejtohemi, do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për vetë-shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës. Kjo do të ishte e vetmja mënyrë për t’ia ndaluar presidentit çfarëdo manipulimi në shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Pra, qëndrimet tona janë shumë të qarta, Lëvizja Vetëvendosje bën thirrje për caktimin e sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve. Nuk do të merr pjesë në asnjë mbledhje të presidentit për ndërrimin e mandatarit. Pra, të zëvendësojmë Ramushin me një kryeministër tjetër të PAN-it”, tha Konjufca.

Ai ritheksoi nevojën e bashkëpunimit me LDK-në dhe tha se janë të gatshëm për një koalicion parazgjedhor ose pas zgjedhor me partnerin opozitar, derisa u shpreh kategorik kundër një qeverie teknike.

Konjufca: Opsioni i parë i preferuar është koalicioni me LDK-në

“Ne do të refuzojmë çfarëdo opsioni të një qeverie e cila do të ndodhte pa zgjedhje. Ajo për çfarë më shumë kanë nevojë qytetarët e Kosovës është freskimi i legjitimitetit të pushtetit në Kosovë”, tha Konjufca.

Nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi tha se Qeveria në dorëheqje nuk ka më mandat për të implementuar programin qeverisës dhe se duhet të ndërpresë çfarëdo aktiviteti për privatizim të Telekomit apo futjes në borxhe përmes pagesës së “Z- Mobile”, ndërprerje të aktiviteteve për autostradën e Dukagjinit, dhe anulimin e termocentralit të ri.

Bislimi: Qeveria s’ka mandat për të implementuar programin qeverisës

“Kjo Qeveri nuk ka më mandat për të implementuar programin e saj qeverisës sado in-ekzistues që ka qenë  dhe nuk mund të marrë ndonjë vendim që ndikon negativisht në aftësinë e Qeverisë në ardhje për të implementuar programin e saj qeverisës. Nuk mund të marrë vendime që kërkojnë vlerësim në jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit. Kjo qeveri nuk guxon të avancojë apo të paraqitet në emër të Kosovës lidhur me asnjë marrëveshje sa i takon Serbisë, apo çështje që ndërlidhen me marrëveshjet e mëhershme me Serbinë. Nuk mund të merret në përgatitje të draft-buxhetit për vitin në vijim. Nuk mund të implementojë asnjë projekt madhor infrastrukturor, të vazhdojë asnjë kontratë me peshë financiare apo ndikim ekonomik”, paralajmëroi Bislimi.

Vetëvendosje mes tjerash bëri të ditur se është duke u bërë gati për të mobilizuar strukturat e veta për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat