Agim Veliu tregon a është takuar me Sami Lushtakun

Aktuale

Agim Veliu tregon a është takuar me Sami Lushtakun

Nga: A.M. Më: 23 korrik 2019 Në ora: 16:51
Agim Veliu

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka demantuar pohimet për kinse një takim të tij në Podujevë me Sami Lushtakun nga radhët e PDK-së, duke thënë se ‘asnjëherë në jetë nuk është jo zyrtarisht me Samiun”.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka reaguar pas lajmeve se është takuar me zyrtarin e PDK-së, Sami Lushtakun.

 Veliu përmes një postimi në Facebook e ka demantuar një takim të tillë, ku ka thënë se asnjëherë në jetën e tij nuk e ka takuar jo zyrtarisht Sami Lushtakun.

Postimi i plotë:

Nga shume gazetarë dhe qytetarë po marr thirrje për një lajm të botuar në një portal, për kinse një takim timin me Sami Lushtakun – kryetar i PDK-së në Skenderaj. Nuk është në natyrën time të merrem me lajme të rreme, të cilat të vetmin qëllim kanë dëmtimin e procesit të brendshëm zgjedhor në LDK, i cili ka hyrë në fazën finale.

Mirëpo, për shkak të interesimit të opinionit publik ua bëj me dije se, jo vetëm sot, por asnjëherë në jetë nuk jam takuar jo zyrtarisht me Samiun. Sot kam përmbyllur një ditë pune dhe sipas agjendës kam pasur takim me qytetarë të komunës sonë. Me këtë rast, dua t’u bëj thirrje mediave që të jenë me të kujdesshëm për lajmet që plasojnë dhe t’i konfirmojnë ato para se t’i publikojnë.

Gjithashtu, ftoj qytetarët, veçmas anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së që lajmet e tilla dhe të ngjashme t’i marrin me rezervë, sepse tash kur fryma e fitores së LDK-së po dominon kudo, për pasojë do të ketë edhe propagandë të pa bazuar dhe pa asnjë argument, por edhe shpifje si kjo e sotmja.

Ndryshe, një pjesë e mediave sot ka shkruar për një takim në një restorant ndërmjet kreut të Komunës së Podujevës Agim Veliu dhe Sami Lushtakut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat