Gashi tregon se kush janë humbësit nga taksa e vendosur ndaj mallrave serbe

Aktuale

Gashi tregon se kush janë humbësit nga taksa e vendosur ndaj mallrave serbe

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 12:33
Fatmir Gashi

Në debatin "Taksa 100 për qind, kush fitoi, e kush humbi dhe çfarë?", kryetari i asociacionit të afaristëve serbë në Kosovë, Sasha Sekuliq, përveç mungesës së mallrave të cilat janë harxhuar, sektori i tregtisë ka pasur më së shumti probleme, sipas të cilit bëhet fjalë për 1 mijë artikuj ku shumica prej tyre mungojnë.

Problem tjetër sipas Sekuliq është edhe mungesa e produkteve bujqësore.

“Kemi menduar se taksa shumë shpejt do të hiqet, ndërsa tash me dorëheqjen e kryeministrit dhe zgjedhjet, taksa shtyhet”, tha ai.

Zëvendësministri në detyrë i Financave, Fatmir Gashi, tha se vendimi qeveritar për mallrat serbe është për të ndaluar agresivitetin e Serbisë ndaj Kosovës.

“Kosova ka  përfituar 7 milionë euro nga të hyrat doganore. Buxheti i Kosovës s’ka humbur asgjë, vetëm ka përfituar. Zëvendësimi i produkteve serbe është bërë nga shtetet fqinjë dhe BE. Qeveria ka pasur një mori arsyesh për mbajtjen në fuqi të taksës”, tha Gashi duke shtuar se humbës nga taksa janë vetëm bizneset në Serbi.

Ndërsa, Nenad Radosavleviq, iniciues i “Lidhjes për Serbi”, tha se taksa 100 për qind është  një marrëzi, dhe siç tha ai, me këtë vendim është e pa kuptimtë të pritet njohja nga Serbia.

“Humbës janë banorët e Kosovës që të furnizohen me mallra cilësore nga Serbia. Përfitues janë tregtarët nga vendet e tjera që kanë furnizuar. Fitues po ashtu  është Ramush Haradinaj, ndërsa  humbës nga taksa është presidenti Hashim Thaçi, i cili nuk arriti ta realizojë idenë e tij për kufijtë. Andaj, taksa është një marrëzi, përfitues janë individë në skenën politike”, tha Radosavleviq.

Katastrofa humanitare sipas tij, ka qenë e inskenuar nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Zëvendësministri Gashi iu kundërpërgjigj duke thënë se nuk është marrëzi të marrësh masa ndaj një shteti që nuk e njeh Kosovën dhe produktet e saja, dhe se çdo herë vënë barriera ndaj mallrave të Kosovës.

Kryetari i Shoqatës Konsumatori Selatin Kaçaniku theksoi se taksa 100 për qind për produktet e Serbisë nuk është marrë në bashkëpunim me konsumatorët dhe asnjë herë nuk është thënë nga qeveria  se është në dobi të tyre.

“Mirëpo, ne e përkrahim masën ndaj Serbisë edhe pse nuk u pyetëm. Ne kemi qenë gjithherë që të respektohen kontrata për plotësimin e direktivave evropiane. Qytetari taksapagues është gjenerues i buxhetit dhe shteti ka obligime shtesë ndaj tyre”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat