VV: Shumë studentëve nuk do t’iu njihen diplomat dhe as studimet

Aktuale

VV: Shumë studentëve nuk do t’iu njihen diplomat dhe as studimet

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 13:54
Ismajl Kurtesh

(E plotësuar) - Lëvizja Vetëvendosje ka bërë publike raportet e marra nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, lidhur me librat amëz të kolegjeve private, ku është thënë se shumë kolegje nuk i kanë dorëzuar këto libra për çka shumë studentëve nuk do t’iu njihen studimet.

Përveç në kolegjet private, mungesë të librave amëz sipas Vetëvendosjes ka edhe në universitetet publike.

Deputeti i kësaj partie, njëherësh kryetar i Komisionit për Arsim, Ismail Kurteshi, tha se një student i paregjistruar në këto libra nuk i njihet as diploma, as studimet edhe kur merr dokumentin e quajtur diplomë.

Kurteshi tha se ka kërkuar këto raporte pas një deklarate të një zyrtareje të ministrisë dhe këto raporte i ka marrë vetëm pas pesë muajve. Ai ka bërë publike edhe një letër që i është dërguar atij së bashku me raportet nga shefi i kabinetit të ministrit të Arsimit, Baton Dushi.

Kurteshi: Kolegjet private dhe universitetet nuk i kanë dorëzuar me kohë librat amëz

“Pas pothuajse 5 muajve raporti erdhi dhe bashkë me raportin ka ardhur edhe një shkresë përcjellëse e shefit të kabinetit të ministrit Baton Dushi, i cili përveç tjerash në letrën e tij thotë. Do ta citoj një pjesë të letrës së tij: ‘Më lejoni t’ju informoj se gjatë viteve të kaluara në shumë raste kolegjet private, po ashtu edhe universitetet publike nuk i kanë dorëzuar brenda afatit librat amëz në MASHT apo nuk i kanë dorëzuar fare. Si pasojë e kësaj gjendje, një numri të madh të studentëve nuk mund t’iu verifikohen diplomat e studimeve. Dhe vazhdon, ‘kjo problematikë serioze është trashëguar nga kabinetet e kaluara, të cilat nuk kanë ndërmarrë asgjë për ta zgjidhur këtë situatë’. Fjalën e ka për kabinetet e ministrave të Arsimit në të kaluarën. Vlen të theksohet se probleme të tilla pra nuk kemi trashëguar vetëm nga kolegjet private, por edhe nga disa universitete publike”, tha ai.

Në vazhdim të letrës thuhet se ‘duhet të sqarohet se përgjegjësinë fillestare e kanë Kolegjet dhe Universitetet me mosrespektim të afateve ligjore për dorëzim të Librave Amë, si dhe Ministria deri në mandatin tonë, meqë nuk ka ndërmarrë asnjë masë ligjore kundrejt tyre dhe nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje për studentë, edhe asaj i faturohet faj i mjaftueshëm. Dikasteri i Arsimit është këtu për t’i shërbyer publikut dhe ja që kabinetet pararendëse nuk e kanë përmbushur këtë detyrë ndaj interesit publik!’

Deputeti Kurteshi deklaroi se ky problem me librat amëz shtrihet edhe në universitetet publike, por që tha se nuk i janë dërguar raporte për to, megjithatë u shpreh i bindur se raporte të tilla ekzistojnë në MASHT.

Ai ka treguar se çfarë do të thotë që një student mos të jetë i regjistruar në librat amëz. 

Kurteshi: Një studenti të paregjistruar në këto libra nuk i njihet diploma

“Përballë shtetit, pavarësisht kohës së kaluar në institucionet e larta të arsimit, qoftë në ato publike a private dhe pavarësisht pagesave financiare, një studenti të paregjistruar në këto libra nuk i njihet as diploma, as studimet edhe kur e merr dokumentin e quajtur diplomë. Pra, një dëm i madh dhe i pariparueshëm ka ndodhur me të rinjtë e të rejat tona. Ata kanë besuar se po kryejnë studimet e tyre universitare në fakt kanë qenë të mashtruar. Prandaj kabineti aktual i Ministrisë së Arsimit në këtë drejtim, nuk dallon nga kabinetet tjera, për faktin se ky ministër dhe ky kabinet udhëheqin me MASHT tani më dy vjet dhe ajo që është më e keqja kanë bërë përpjekje maksimale që ta mbajnë të fshehur këtë raport, i cili është dashur të publikohet, në mënyrë që së paku të ndalet e keqja, e cila ka ndodhur për vite të tëra pa fajin e studentëve”, deklaroi ai.

Kurteshi bëri të ditur se kabineti aktual këtyre ditëve po punon në nxjerrjen e një udhëzimi administrativ për verifikimin dhe vulosjen e dokumentacionit të lëshuar nga institucionet e arsimit parauniversitar dhe arsimit të lartë, me qëllim të përdorimit jashtë vendit.

Sipas tij, edhe ky udhëzim administrativ nuk është në rregull dhe vetëm legjitimon shkeljet që kanë ndodhur deri tani. Ai tha se është kërkesë e tyre që një udhëzim i tillë të mos përdoret.

Kurteshi tha se tha se librat amëz të dorëzuar në MASHT ose janë të pa protokolluara ose janë të pambyllura, por që potencoi se ka edhe të atilla që janë në rregull.

Kurteshi: Librat amëz të dorëzuara në MASHT janë të pa protokolluara

“Librat amëz të dorëzuara në Ministrinë e Arsimit, ose janë të pa protokolluara, ose janë të pambyllura, ose të panënshkruara, ose janë të nënshkruara, por nuk janë të vulosura, por ka edhe të atilla që janë në rregull. Ndryshe, kjo qeveri bashkë me ministrin e Arsimit do të mbahet në mend për diskreditimin e arsimit universitar duke e përjashtuar atë nga EQAR, çorganizimin e brendshëm të MASHT-it, emërimet dhe shkarkime të paligjshme, cenimin e procesit mësimor për shkak të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik dhe përplasjet Qeveri-SBASHK, komprometimin me procesin e hartimit të teksteve të reja shkollore, ndërhyrjen në procesin e vlerësimit të universiteteve nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe mos akreditimin e tyre, mungesën e buxhetit për kërkimin shkencor”, tha ai.

Deputeti i Vetëvendosjes ka kërkuar nga Ministria e Arsimit mos të marrë vendime që nuk i lejohet një ministri në dorëheqje, ku ka përmendur botimin e teksteve të kontestuara shkollore, përdorimin e udhëzimit administrativ për verifikimin, vërtetimin dhe vulosjen e dokumentacionit të lëshuar nga institucionet e arsimit parauniversitar dhe arsimit të lartë, me qëllim të përdorimit jashtë vendit.

VV: Studentëve të paregjistruar në librat amëz nuk iu njihet diploma

Lëvizja Vetëvendosje ka ngritur shqetësimin se shumë studentëve që kanë përfunduar studimet e që nuk do t'iu njihet diploma pasi që nuk janë të regjistruar në librat amëz.

Deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi, tha se ka kërkuar raportin nga Ministria e Arsimit ku bashkë me të ka marrë edhe një letër nga shefi i kabinetit të ministrit Baton Dushi.

"Sepse ajo tërhiqte vërejtjen se kjo çështje është një alarm për arsimin e lartë në Kosovë. Pas 5 muajsh raporti erdhi dhe bashkë me raportin ka ardhur një shkresë përcjellëse nga shefi i kabinetit, i cili thotë se gjatë viteve të kaluara kolegjet private dhe ato publike nuk i kanë dorëzuar librat amë me kohë dhe si rrjedhojë për disa studentë nuk mund t'iu njihet diploma", tha ai.

Ai tha se ky problem shtrihet edhe në universitetet publike.

"Një studenti të paregjistruar në këto libra amë nuk i njihet diploma. Ata kanë besuar se po kryejnë studime, por ata kanë qenë të mashtruar. Ky kabinet i tanishëm kanë bërë përpjekje që ta mbajnë të fshehur këtë raport. Librat amë të dorëzuara në MASHT ose janë të paprotokolluara ose të pambyllura, por ka edhe të atilla që janë të rregullta. Kjo Qeveri bashkë me ministrin e Arsimit do të mbahet në mend për diskreditimin e arsimit, duke filluar nga largimi në EQAR, mungesës së marrëveshjes me SBASHK-un, mungesën e buxhetit për kërkime shkencore. Ne nga kjo ministri kërkojmë që të mos merr vendime që nuk i përkasin një qeverie që është në dorëheqje. Po ashtu kërkojmë që nëse këto raporte nuk janë të plota t’i publikojë të plota jo vetëm për universitetet private por edhe në ato publike", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat