(E plotësuar) -Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri e ka quajtur të rastësishëm takimin e tij me sekretarin e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqajn.
Haziri tha për KosovaPress se në këtë takim të rastësishëm, siç e quajti ai, nuk kanë biseduar për ndonjë koalicion të mundshëm LDK-PSD.
“Takim rasti o vëlla, sen s’ka pas”, tha fillimisht ai.
Në një bisedë telefonike, ai u shpreh se i duket e pakuptimtë që po pyetet për një takim të rastësishëm, duke thënë se njëherë janë njerëz e më pas politikanë.
“Po çfarë diskutimi o vëlla. Po na jena njerëz mas pari, tani jemi politikan. Shihen njerëzit në rrugë flasin”, tha Haziri.
Ai u pyet nga KosovaPress edhe për takimin e djeshëm të kryetarit të Podujevës Agim Veliu me kryetarin e degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtakun, për çka tha se nuk ka çfarë të diskutohet.
“Agimi e ka thënë edhe vet që nuk është taku. Nuk e di pse duhet me diskutu kur Agimi ka thënë vet që s’u taku”, tha ai.
***
- Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka pranuar se është takuar sot gjatë ditës në një kafiteri në Prishtinë me sekretarin e PSD-së, Dardan Molliqajn.
Haziri e ka mohuar se me Molliqajn kanë biseduar për ndonjë koalicion të mundshëm mes dy subjekteve politike.
Media sot ka publikuar një foto ku Haziri dhe Molliqaj shihen në kafiterinë e njohur “De Rada” në Prishtinë.
Pas këtij takimi Haziri ka deklaruar se ky ka qenë, siç ka thënë ai, një takim i rastësishëm, por nuk kanë biseduar për koalicione.
“Ka qenë takim i rastësishëm”, është arsyetuar më pas Haziri në një bisedë të shkurt telefonike.
***
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është parë sot në një kafiteri në kryeqytet me sekretarin e PSD-së, Dardan Molliqajn.
Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj drejtuesit e subjekteve parlamentare kanë shpeshtuar takimet për të arritur koalicionet parazgjedhore ose paszgjedhore, raporton zëri.
Përndryshe, drejtuesit e LDK-së vazhdimisht kanë bashkëpunuar me lëvizjen ‘Vetëvendosje’, përderisa PSD-në e Shpend Ahmetit e kanë quajtur ‘patericë të Haradinaj’.