Ardian Gjini i përgjigjet Enver Hasanit: Haradinaj është Kryeministër në Detyrë

Aktuale

Ardian Gjini i përgjigjet Enver Hasanit: Haradinaj është Kryeministër në Detyrë

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 00:40
 Ardian Gjini

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës  Ardian Gjini, ka thënë se Ramush Haradinaj është kryeministër në detyrë, pasi sipas tij Kushtetuta e Kosovës parasheh që vendi nuk mund të mbetet asnjë ditë e asnjë orë pa qeveri e kryeministër në detyrë.

Gjini këtë deklarim e ka bërë duke i reaguar ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i cili ka thënë se  Haradinaj nuk mund të konsiderohet kryeministër në detyrë i vendit, që nga momenti kur ka dhënë dorëheqje.

“Kushtetuta e Kosovës parasheh që vendi nuk mund të mbetet asnjë ditë e asnjë orë pa qeveri e kryeministër në detyrë.  Pavarësisht cila është rruga deri te rënia e qeverisë (dorëheqje apo mocion mosbesimi) qeveria konsiderohet në dorëheqje dhe e ka obligim të jetë në detyrë derisa të zgjedhet qeveria tjetër.  Mund të ketë tentim interpretime të ndryshme por anëtarët e komisionit kushtetues e dinë sa kemi diskutuar për këtë çështje!”, ka shkruar Gjini në Facebook.

Ai ka thënë se ministrat dhe kryeministri janë të obliguar t’i kryejnë detyrat deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

“Ky parim kushtetues i gjithë botës politike vlen edhe në Kosovë.  Sepse, nëse qeveria nuk merr vendime vetëm për një ditë të vetme, bllokohen të gjitha institucionet, komunat, gjykatat agjensitë, të gjitha.  Ministrat dhe kryeministri janë të obliguar t’i kryejnë detyrat deri në zgjedhjen e qeverisë së re sepse përndryshe do t’i shkaktonin qindra shkelje lighore brenda ditës”.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka folur rreth zhvillimeve të mundshme në vend, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të vendit.

Hasani ka thënë se Haradinaj nuk mund të konsiderohet kryeministër në detyrë i vendit, që nga momenti kur ka dhënë dorëheqje.

“Ai le të shkon në zyrë, se aty janë zyrat e mira edhe është fllad, por kryeministër në detyre nuk është”, ka thënë Hasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat