Limaj tregon detaje të padëgjuara rreth aktakuzës që i ishte ngritur nga Haga në vitin 2003

Aktuale

Limaj tregon detaje të padëgjuara rreth aktakuzës që i ishte ngritur nga Haga në vitin 2003

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 22:24
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka treguar detaje të padëgjuara rreth aktakuzës që i ishte ngritur nga Gjykata penale ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, e njohur si Tribunali i Hagës, në vitin 2003.

“S’e kam ditur që jam duke u hetuar”, ka bërë të ditur Limaj në emisionin “Pressing”.

“Unë kam shkuar, jam përshëndetur me nënën, i kam thënë se do të jem 2-3 ditë në Slloveni”, ka kujtuar Limaj, ish-komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Nëna ka qenë shumë keq me mushkëri… kur kam qenë në Hagë është zbuluar sëmundja e kancerit”, ka treguar ai.

Limaj ka kujtuar se sa ishte në Slloveni, e kishte marrë një telefonatë të papritur.

“Shaban Buza, një gazetar i nderuar, më ka thirrur në telefon, edhe më ka thënë ‘çka po bën’… përmes zërit ka dashur ta shohë disponimin tim, si duket”, ka treguar ai.

“E ka parë që unë s’jam kurrkah, që jam në disponim të mirë. E ka parë që unë s’kam informacion dhe i ka ardhur keq të ma japë një informacion të tillë”, ka thënë Limaj.

“Ma ka sjellë disa minuta, dhe i kam thënë: Shaban më vjen keq, por s’e di për çka e ke fjalën”, ka kujtuar kreu i Nismës.

“Më tha: më vjen keq që s’po e ditke, më duhet të ta them një lajm. Carle Del Ponte prej Podogricës shpalli aktakuzë për ty”, ka rrëfyer Limaj.

“I thash: për çka? Më tha: për krime lufte. I thash: ku? Më tha: në Hagë”, ka kujtuar bisedën Limaj.

“Janë një milion sende që i kisha menduar, por në Hagë, Carla Del Ponte të më merrte, në atë kohë… Jo që s’kemi ditur, por as s’ka qenë në imagjinatën time”, është shprehur ai.

“Për mua jo, për atë ka qenë. Aktakuzën Del Ponte e ka shpallur në konferencë për shtyp”, ka kujtuar Limaj.

Kreu i Nismës ka zbuluar se si ka vepruar pas kësaj telefonate.

“Menjëherë e kam lajmëruar Policinë e Sllovenisë. U kam thënë: këtu jam, në filan vendin, jam Filan Fisteku”, ka treguar ai.

“Ata njëherë s’kanë lëviz hiç. S’kanë pasur informacion, deri sa t’ju vinte. Se zonja Del Ponte ka pasur qejf të bëhet spektakël”, është shprehur Limaj.

“Kam thirrur Bajram Rexhepin, ka qenë kryeministër. I kam thënë tregoji (Michael) Steinerit, se jam në Slloveni. Dëshira ime është të nisem prej Kosovës”, ka kujtuar Limaj kërkesën për ish-administratorin e Kosovës.

“Pse më linit të shkoja në Slloveni, të isha përshëndetur me familjen”, ka kujtuar Limaj t’u ketë thënë udhëheqësve të vendit asokohe.

“Bajrami më ka lajmëruar pastaj, që po duan ta çojnë një aeroplan të OKB’së të më merrte në Slloveni, e të shkoja prej Prishtinës”, ka treguar Limaj.

“Ju thash: bëni si të doni, tregoji njeriut që jam i gatshëm t’i përgjigjem ftesës, se kjo është me rëndësi. Kosova, unë si qytetar i këtij vendi, jam i gatshëm të shkoj atje dhe jo të iki, siç ishte në modë”, ka deklaruar Limaj.

“Kam pritur përgjigje prej Prishtinës. Nuk ka ardhur përgjigja prej Prishtinës. Atëherë ka ardhur Policia e Sllovenisë dhe ka zhvilluar procedurat”, ka treguar ai.

“Kam qëndruar dy javë në Slloveni, derisa është kryer ekstradimi. Dy javë, në Lubjanë. Pas dy javësh, jam transferuar nga Lubjana në Hagë. Dhe pastaj ka filluar ai procesi”, ka rrëfyer Limaj.

“As s’jam marrë në pyetje, as s’e kam ditur, direkt ka qenë aktakuzë”, ka theksuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat