Vetëvendosje: Të mos vazhdohet kontrata e Telekomit me Z-Mobile

Aktuale

Vetëvendosje: Të mos vazhdohet kontrata e Telekomit me Z-Mobile

Më: 26 korrik 2019 Në ora: 13:52
Pamje nga konferenca

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që nga e hëna të mos vazhdohet kontrata e Telekomit dhe Z-Mobile, dhe menjëherë të të fillojnë procedurat për kthimin e fondeve, siç i quan ky subjekt, të plaçkitura përmes kësaj kontrate.

Kështu bëri të ditur në një konferencë për media deputeti i këtij subjekti, Liburn Aliu.

Ai tha se heshtja e bordit të Telekomit të Kosovës është shumë shqetësuese pasi kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë për fatin e Telekomit të Kosovës.

"Tanimë është e qartë që kemi të bëjmë me një kontratë ku Z-Mobile mund të marrë sa të dojë dhe kur të dojë nga Telekomi i Kosovës. Kjo kontratë i ka shkaktuar humbje të mëdha Telekomit. Të gjitha faktet dëshmojnë se kjo kontratë është krimi më i madh politik. Ne kërkojmë që kjo kontratë të mos vazhdohet me asnjë kusht dhe menjëherë të fillojnë procedurat për kthimin e fondeve të plaçkitura përmes kësaj kontrate", tha ai.

Fatban Bunjaku nga Lëvizja Vetëvendosje tha se tha kontrata e Telekomit me Z-Mobile është më e pashembullta në historinë e sektorit të komunikimeve elektronike.

"Bordi i Telekomit deri të hënën më së largu të tregojë se kjo kontratë nuk vazhdohet. Dëmi që kjo kontratë ia shkaktoi Telekomit është shumëmilionësh. Secili që do të nënshkruajë vazhdimin e kësaj kontrate do të jetë përgjegjës. Kjo kontratë e ka dëmtuar tërë tregun e telefonisë mobile në Kosovë. Në raportin që i ka ardhur Komisionit Hetimor për PTK-në, del se një komani si Z-Mobile i ka shkaktuar 107 milionë euro humbje reale Telekomit, ndërkohë që vet (Z-Mobile) ka pasur 73 milionë euro të hyra reale", tha ai.

Sa i përket problemeve të fundit që Telekomi ka pasur me rrjet, ai tha se kjo ka ndodhur për shkak të ngarkesës të Z-Mobile.

"Referuar raportit që profesionistët e Telekomit të Kosovës e prezantuan para Komisionit Hetimor për PTK-në, shihej qartë se Z-Mobile ngarkon resurset e Telekomit, në veçanti resurset 3 dhe 4 G", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat