Pafuqia e Qeverisë në dorëheqje

Aktuale

Pafuqia e Qeverisë në dorëheqje

Më: 26 korrik 2019 Në ora: 17:05
Qeveria e Kosovës në dorëheqje

Pavarësisht dorëheqjes së parevokueshme nga posti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj të premten ka thirrur në mbledhje kabinetin qeveritar.

Megjithatë, për temat që kanë qenë në rend dite për këtë mbledhje, nuk është diskutuar dhe nuk është marrë asnjë vendim lidhur me to, për shkak të dilemave të kabinetit qeveritar nëse vendimet e tilla do të ishin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Nisur nga kjo situatë, kryeministri në dorëheqje, Haradinaj, ka theksuar se do ta pyesë Gjykatën Kushtetuese, për të dhënë vlerësimin nëse Qeveria në dorëheqje mund të thërrasë mbledhje të kabinetit qeveritar, në mënyrë që të mos lejohet vakuumi institucional.

“Ne e kemi për detyrë që të mos lejojmë vakuum qeverisës. Derisa nuk zgjidhet një qeveri,ti nuk ia jep detyrat dikujt tjetër, në vendin tënd,nuk guxon të lësh vakuum. Qeverisja është edhe sovranitet dhe nuk ndalet shteti. Sido që të jetë, me këto pasiguritë ligjore që u paraqitën këtu, mua më duhet ta kërkoj ndihmën e Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk di si t’ia bëj. Imagjinoni, pas këtij debati, unë një ditë ta thërras mbledhjen e qeverisë dhe pastaj unë nuk e di se cili vendim është i kësaj apo asaj natyre”, ka thënë Haradinaj.

Vendimi i Haradinajt erdhi pas debatit ndërmjet ministrave të kabinetit të tij, të cilët kanë shfaqur hezitimin për të marrë vendime lidhur me temat e caktuara, e madje edhe për vendimin për të siguruar një buxhet për mbajtjen eventuale të zgjedhjeve të parakohshme.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë ka paralajmëruar se që nga fillimi i javës së ardhshme do t’i nisë konsultimet me partitë politike, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të vendit.

Dy partitë e koalicionit parazgjedhor PAN, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lider i së cilës është Haradinaj,si dhe Nisma Socialdemokrate, lider i së cilës është Fatmir Limaj, në mënyrë të prerë kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovëse ka lënë hapur mundësinë që të shqyrtohet opsioni i zgjedhjes së një mandatari të ri për kryeministër në mandatin aktual qeverisës.

Enver Hoxhaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky subjekt politik, më i madhi brenda koalicionit qeverisës, është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme, por opsionet e mundshme do t’i diskutojë me presidentin Thaçi.

“Zgjedhjet duket që janë të pashmangshme dhe ne si parti politike jemi në çdo kohë të gatshëm për zgjedhje, sepse kemi strukturë, e cila është e pakrahasueshme me partitë tjera politike. Por, do të shohim se cila do të jetë më e duhura në interes të vendit. Një gjë qëndron, që ne nuk duam të kemi vakuum institucional dhe duam ta kemi një qeveri të mirëfilltë, e cila i përmbush pritjet e qytetarëve. Por, cili do të jetë qëndrimi i PDK-së, kur të jemi në tavolinën e presidentit, do ta themi në atë tavolinë”, ka thënë Hoxhaj.

Lideri i AAK-së, Haradinaj, pas mbledhje së të premtes të Qeverisë, ka theksuar që përmes dorëheqjes së tij, ai ia ka kthyer mandatin popullit, në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Fatmir Limaj, lider i Nismës Socialdemokrate, ka thënë të premten që subjekti politik që ai drejton, është në favor të zgjedhjeve të parakohshme dhe jo për improvizim të Qeverisë.

“Jemi të gatshëm për zgjedhje dhe po përgatitemi për proces zgjedhor, natyrisht, duke respektuar procedurat që na obligon Kushtetuta dhe ligji. Një parti politike, e cila është e gatshme për zgjedhje, ajo nuk meriton të jetë në skenën politike. Nisma Socialdemokrate është e gatshme për zgjedhje dhe pa asnjë hezitim ose tendencë të atyre qepjeve, arnimeve qeveritare, ne besojmë që duhet të shkojmë drejt zgjedhjeve”, ka deklaruar Limaj.

Në anën tjetër, dy partitë kryesore opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë deklaruar se janë në favor të zgjedhjeve të parakohshme.

Për më shumë, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se në rast se gjatë javës së ardhshme presidenti nuk e bën të ditur datën e zgjedhjeve dhe nëse ai e ngrit çështjen e një mandatari të ri, opozita do t’ia mësyjë vet-shpërbërjes së Kuvendit. Ndërkaq, zyrtarët e subjektit tjetër opozitar, Partia Socialdemokrate, nuk kanë dashur të sqarohen se cilin opsion do ta mbështesin, zgjedhjet e parakohshme apo një mandatar të ri për kryeministër./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat