Ish-këshilltari i Veselit dhe djali i këshilltarit të Thaçit punësohen në KEK

Aktuale

Ish-këshilltari i Veselit dhe djali i këshilltarit të Thaçit punësohen në KEK

Më: 27 korrik 2019 Në ora: 19:35
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Në një prej përgjimeve të dala nga afera “Pronto”, ishte edhe një bisedë mes ish-shefit të deputetëve të PDK-së, Adem Grabovcit, dhe Fadil Fazliut, zyrtar nga Lëvizja për Bashkim.

Fazliut i interesonin raportet e Grabovcit me Arsim Bajramin, pasi djali i tij kishte një provim te Bajrami, për ta mbërritur kushtin, raporton KTV.

Vite më vonë, televizioni ka biseduar me Fazliun përmes telefonit dhe ai ka thënë se Grabovci nuk kishte kryer punë.

Djali i Fadil Fazliut, Fahri Fazliu, është punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës si zyrtar ligjor dhe babai i tij thotë se kjo është bërë me meritë dhe nuk ka kërkuar ndihmën e askujt.

Vetë Fazliu, si pjesë e LB-së, kishte garuar bashkë në një listë me PDK-në, por edhe djali i tij, si duket, ka nja simpati për të parin e kësaj partie, Kadri Veselin, siç e tregon edhe një rrjete sociale.

Nga kabineti i Veselit, në një pozitë të rëndësishme në KEK kishte shkuar edhe një tjetër zyrtar i PDK-së.

Sekretar i Korporatës Energjetike të Kosovës është bërë Lulzim Zeqiri, kandidat i PDK-së për Asamblenë komunale në Mitrovicën e Jugut, e më vonë këshilltar i Kadri Veselit.

Televizioni ka kontaktuar me Zeqirin, por i njëjti nuk ka dashur të flasë për procedurat e punësimit të tij në këtë pozitë, duke sugjeruar që për këtë të kontaktohet me burimet njerëzore.

Në zyrën për Tarifa dhe çështje rregullative të KEK-ut, vend është bërë edhe për Orges Sylën, djalin e Ismail Sylës, aktualisht këshilltar politik i Presidentit Thaçi.

Syla, që së voni është parë në shoqëri të presidentit Thaçi dhe shefit e stafit, Bekim Çollaku, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit drejtuar atij, e as nuk është lajmëruar në numrin e zyrës.

Televizioni ka siguruar edhe një sërë emrash të aktivistëve të PDK-së, që së voni janë punësuar në Korporatën e Energjetike të Kosovës.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës, televizioni ka marrë përgjigje vetëm 10 minuta para transmetimit të materialit, pavarësisht se pyetjet për këtë temë janë dërguar në fillim të javës.

Aty thuhet se Lulëzim Zeqiri e Orges Syla, në konkursin e shpallur më 19 tetor 2018, i kishin plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara dhe kishin filluar punën më 3 janar të këtij viti.

Fahri Fazliu i ishte nënshtruar konkursit të publikuar më 1 mars të vitit 2018, derisa punën e kishte filluar më 12 qershor të po atij viti.

Në këtë përgjigje, departamenti për media i KEK-ut e konsideron këtë ndërmarrje si shembullin më të mirë në Kosovë sa u përket punësimeve, pasi deri tani, nuk kanë pasur asnjë shkelje ose vërejtje, e as nuk kanë të punësuar me kontratë mbi vepër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat