Ambasada e SHBA-së alarmoi se mund të ketë sulme terroriste në Kosovë, ja çka thotë Policia

Aktuale

Ambasada e SHBA-së alarmoi se mund të ketë sulme terroriste në Kosovë, ja çka thotë Policia

Më: 27 korrik 2019 Në ora: 21:06
Foto ilustrim

Siguria në Kosovë gjatë verës nuk është në nivel, pasi që vendit mund t’i vijnë kërcënime nga organizatat terroriste.

Kështu po vlerëson Ambasada Amerikane, e cila ka lëshuar alarm sigurie për të gjithë shtetasit e saj që jetojnë në Kosovë, raporton KTV.

Ky njoftim është bërë për shkak të, siç kanë thënë, kërcënimeve të vazhdueshme nga organizatat terroriste dhe individë të inspiruar nga ideologji ekstremiste.

Në njoftimin e ambasadës thuhet se ekstremistët janë të përqendruar në vendet që frekuentohen nga perëndimorët si sheshe, mjete të transportit, e kafiteri.

“Gjatë sezonit të verës, masat e sigurisë në Kosovë mbeten të larta për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme nga organizatat transnacionale terroriste dhe individët e inspiruar nga ideologjia ekstremiste. Ekstremistët vazhdojnë të fokusohen në lokalitetet e turistëve, tubimet publike, qendrat tregtare, mjetet e transportit, kafiteritë dhe objektiva të tjerë, që frekuentohen nga perëndimorët”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Ambasada tutje, u rekomandon shtetasve të saj që të jenë të vëmendshëm në vende ku ka turma të mëdha njerëzish, të kujdesen për sigurinë personale, të jenë të kujdesshëm se nga kush rrethohen në ambiente të ndryshme si dhe të ndjekin mediet për t’u njoftuar me më të rejat.

Policia e Kosovës, përmes telefonit, ka thënë se është duke e kryer punën e saj, për çka po u ofron siguri të mjaftueshme të gjithë qytetarëve, duke mos dashur të komentojnë reagimin e ambasadës amerikane.

Por, njohësit e çështjeve të sigurisë, reagimin e ambasadës amerikane e shohin të qëlluar për dy arsye.

E para, se ambasada përmes burimeve të saja të inteligjencës, mund të parashikojë gjendjen në vend dhe së dyti, situata e krijuar politike mund të ndikojë në situatën e sigurisë.

Fadil Kajtazi, ekspert i sigurisë, thotë se sulmet terroriste që kanë ndodhur së fundi në Evropë, mund të ndodhin edhe në Kosovë, për çka institucionet e vendit duhet t’i shtojnë masat e sigurisë.

KTV-ja e ka pyetur edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për njoftimin e ambasadës amerikane, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat