Kjo është e vërteta për “Burdushin”, milionerin me prejardhje të dyshimtë të pasurisë

Aktuale

Kjo është e vërteta për “Burdushin”, milionerin me prejardhje të dyshimtë të pasurisë

Më: 28 korrik 2019 Në ora: 21:20
Hysri Peqani-Burdushi

Mjeku popullor Hysri Peqani, i njohur për publikun si “Burdushi”, ndaj të cilit Gjykata ka caktuar edhe 30 ditë paraburgim, po dyshohet për kryerjen e 4 veprave penale: Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shmangie nga tatimi, mashtrim,  dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Pasuria e “Burdushit” nuk fillon e as përfundon në Prizren. Ai, me punën e tij, si mjek popullor ka arritur të blejë tokë edhe në “zemër” të Pejës.

Gjykata e Prizrenit, ka sekuestruar tri parcela të tokës në Prizren dhe një në Pejë.

Përveç tokës, atij, i janë sekuestruar edhe dy lokale në Prizren. Pasuria e sekuestruar kap shumën 2 milion e 600 mijë euro.

Zëdhënësja e Gjykatës së Prizrenit, Afërdita Kicaj  kishte treguar se Hysri Peçani i njohur si “Burdushi” i janë ndaluar asetet e dyshuara se janë fituar kundërligjshëm.

Por, pasuria e “Burdushit” nuk përfundon vetëm me toka.“Përveç ngastrave kadastrale, janë konfiskuar edhe dy lokale “, tregon ajo.

Kicaj kishte thënë se “Burdushit” i është ndaluar çfarëdo aktiviteti i të mëtejme në llogarinë bankare, raporton Insajderi.

Në provat që janë siguruar, prokurori i shtetit ka parë se edhe në vitin 2008, i pandehuri ka hapur biznes me emrin “Urimi”, me veprimtari të shërbimeve ushqimore në këtë rast restorant. Sipas prokurorit, Burdushi nga bizneset e tij nga viti 2005 ka përfituar 2.6 milionë euro.

“Gjatë hetimeve deri tani, rezulton se qarkullimi total në këto dy kompani të cekura nga 2005 – 2018 kap shumën e 115.000 euro të deklaruar në ATK nga vet i pandehuri, kurse nga pasuria e të pandehurit e cila është fituar gjatë kësaj periudhe arrin shifrën rreth 2 milionë e 600 mijë euro”.

“I njëjti ka mashtruar duke shëruar sëmundje, epilepsi, kancer, të ngecur në të folur, infertilitetit e sëmundje të tjera të cilat i pandehuri i kishte moto në librin e tij të vitit 1998”.

Pas arrestimit të tij vitin e kaluar Prokuroria kishte arritur që të sekuestronte dhe ti ngrinte përkohësisht atij një pasuri në vlerë prej afro 3 milionë eurosh. Peqani ende nuk ka folur në publik se si e kishte krijuar këtë pasuri. Gjatë paraburgimit u raportua se një herë kishte tentuar edhe të vetëvritej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat