Gjykata Speciale kërkon punëtorë

Aktuale

Gjykata Speciale kërkon punëtorë

Më: 29 korrik 2019 Në ora: 12:16
Gjykata Speciale

Në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Speciale është dhënë lajmërimi se është hapur thirrja për 44 pozita të ndryshme të punës.

Mënyra e aplikimit për këto pozita është Online, përmes internetit dhe të interesuarve u është bëre me dije se afati i fundit për aplikim është deri me datë 09 gusht 2019.

Kandidatët e interesuar duhet të përdorin formularin standard të aplikimit përmes të cilit mund të aplikojnë për deri në tre pozita duke i renditur ato sipas rëndësisë.

Formularin për aplikim kandidatët e interesuar mund ta gjejnë në ueb faqen e Gjykatës Speciale, të cilin fillimisht duhet ta plotësojnë dhe dërgojnë në email adresën [email protected].

Në Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës do të mund të punësohen vetëm shtetas të shteteve anëtare të BE-së dhe të shteteve të treta kontribuese (Kanada, Norvegji, Zvicër, Turqi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës).

Disa nga pozitat e hapura për aplikim: Zyrtar i buxhetit, Asistent u rekrutimit, Asistent i IT-së, Asistent financiar, Teknik i pajisjeve elektronike dhe i sistemeve të sigurisë, Zyrtar i Gjykatës, Asistent i regjistrimit, Zyrtar Ligjor, Ndihmës-Zyrtar Ligjor, Asistent Administrativ, Interpretues gjyqësor i lartë i Gjuhës Shqipe, Interpretues i Gjuhës Shqipe, Interpretues i Gjuhës Serbe, Përkthyes i Gjuhës Serbe etj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës do të punësojnë:

Punonjës të emëruar përmes autoriteteve shtetërore;

Punonjës të kontraktuar.

Punonjësit e kësaj kategorie vihen në dispozicion të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës nga Autoriteti Emërues Shtetëror. Në përgjithësi dhe varësisht nga procedurat e shteteve për emërimin e personelit, punonjësit e emëruar përmes autoriteteve shtetërore shërbejnë të paktën për 12 muaj, me mundësi zgjatjeje.

Shpenzimet lidhur me personelin, duke përfshirë pagat, kontributet përkatëse të sigurimeve shëndetësore, shpenzimet e udhëtimeve për në shtetin ku ndodhet selia dhe nga ky shtet (përfshirë lejen e udhëtimit për në shtetin amë) dhe çdo kompensim tjetër, me përjashtim të shpenzimeve të përcaktuara në Rregulloren e Personelit, i mbulon Autoriteti Emërues Shtetëror.

Punonjësve të emëruar përmes autoriteteve shtetërore, sipas rrethanave, u paguhet mëditje. Ata vazhdojnë të jenë pjesë e sistemeve të sigurimeve shoqërore të Autoritetit Emërues Shtetëror. Punonjësit e emëruar përmes autoriteteve shtetërore, me përjashtim të punonjësve të shteteve të treta kontribuese, mbulohen nga skema e sigurimeve shëndetësore e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Në rastet kur Administratori e gjykon të arsyeshme, punonjësit e emëruar përmes autoriteteve shtetërore mund të përfshihen në skemën e sigurimeve nga rreziqet e mëdha.

Punonjësit e kontraktuar punësohen me kontratë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Natyra e përkohshme dhe nevojat specifike të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës nuk lejojnë që personelit të kontraktuar t’i mundësohet punësim i përhershëm dhe kjo pasqyrohet në nivelin e pagës. Për informacion më të plotë lidhur me pagesat, ju lutemi shikoni Kushtet e Periudhës së Punësimit.

Kontratat e punës për personelin e kontraktuar jepen vetëm për kohëzgjatje të përcaktuar. Ato zakonisht jepen për periudhë njëvjeçare, por mund të  jepen edhe me kohëzgjatje të ndryshme, varësisht nga nevojat operative.

Vazhdimi i kontratës nuk nënkupton të drejtë apo pritshmëri për zgjatje të mëtejshme, apo shndërrim në kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar, edhe nëse i njëjti lloj pune kërkohet edhe më pas.

Pagesa e personelit të kontraktuar përfshin pagën bruto bazuar në kategorinë dhe gradën e vendit përkatës të punës dhe shtesën e indeksimit të pagës në përshtatje me vendin e punës. Indeksimi i pagës në përshtatje me vendin e punës paguhet për përafrimin e pagave të çdo vendi pune me pagat dhe shtesat për vende pune të ngjashme në shtetin pritës, me qëllim garantimin e konkurrencës dhe cilësisë dhe efektshmërisë së punës.

Kushtet e përgjithshme të aplikimit të cilat duhet t’i posedojnë kandidatët e interesuar:

Shtetësia – Kandidatët duhet të kenë shtetësinë e një shteti anëtar të BE-së ose të një shteti të tretë kontribuues.

Integriteti – Kandidatët duhet të posedojnë standardet më të larta të integritetit, paanësisë dhe vetë disiplinës personale brenda Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës. Ata nuk janë të lejuar të ndajnë apo diskutojë çfarëdo lloj informacioni ose dokumenti si rezultat i qasjes në informacione të klasifikuara dhe / ose të ndjeshme në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës ose detyrat dhe aktivitetet përkatëse.

Fleksibiliteti dhe përshtatshmëria – Kandidatët duhet të jenë në gjendje të punojnë me orë të paparashikueshme të punës dhe në një ngarkesë të konsiderueshme pune.

Kandidatëve u kërkohet që të kenë aftësi për të punuar profesionalisht si anëtar të grupit në grupe punuese dhe grupe punuese me përbërje të përzier, si dhe të jenë në gjendje të përballojnë periudhat e gjata kohore të ndarjes nga mjedisi familjar.

Disponueshmëria – Kandidatët duhet të jenë në gjendje të kryejnë çdo detyrë tjetër që lidhet me kompetencat, përgjegjësitë dhe funksionet e pozitës përkatëse në Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, siç kërkohet nga Sekretari dhe Prokurori i Specializuar.

Shëndeti Fizik dhe Mendor – Kandidatët duhet të jenë të aftë fizikisht dhe me shëndet të mirë pa ndonjë problem fizik ose mendor ose varësi të substancës, gjë që mund të dëmtojë performancën operacionale.

Për të siguruar kryerjen e detyrave me kujdes, kandidatët e zgjedhur duhet, në parim, të jenë nën moshën normale të daljes në pension në shtetet e treta që kontribuojnë.

Bëjmë të ditur se konkursi për këto pozita të lira të punës është i publikuar vetëm në ueb faqen zyrtare të Gjykatës Speciale.

Personat e interesuar për këto pozita, thirrjen për aplikim mund ta gjejnë duke klikuar mbi këtë link.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat