Isa Mustafa kryen një kontroll në Gjermani pak ditë para Kuvendit Zgjedhor

Aktuale

Isa Mustafa kryen një kontroll në Gjermani pak ditë para Kuvendit Zgjedhor

Më: 29 korrik 2019 Në ora: 15:30
Isa Mustafa

Pak ditë para Kuvendit Zgjedhor, kreu i LDK’së Isa Mustafa ka qëndruar për kontroll shëndetësor në Gjermani, ku ishte trajtuar vitin e kaluar për muaj të tërë.  Mjeku i tij personal Halil Krasniqi ka konfirmuar vizitën e Mustafës atje duke thënë se ka përmirësime të dukshme të gjendjes shëndetësore të kryetarit të LDK’së. Pas kthimit nga shteti gjerman Mustafa ka dhënë indikacione të qarta se është në garë për t’u rizgjedhur kryetar partie.

Ka më shumë se një vit që kreu aktual i LDK’së, Isa Mustafës, është duke u trajtuar nga një sëmundje. Ai kishte pësuar një ftohje respiratore gjatë shkurtit të vitit të kaluar për shërimin e së cilës kishte kërkuar ilaç jashtë vendit, saktësisht në Gjermani.

Por kontrollet e terapitë rreth gjendjes së tij, lideri i LDK’së po i vazhdon ende.

Media ka arritur që të bisedojë me mjekun personal të Isa Mustafës, doktor Halil Krasniqi. Ai ka treguar se Mustafa ka qëndruar në Gjermani gjatë javës së kaluar ku i është nënshtruar një sërë kontrollesh e terapish për ta përmirësuar gjendjen e tij shëndetësore.

“Ish Kryeministri i Republikës se Kosovës z. Prof. Isa Mustafa, ishte javën e kaluar për arsye shëndetësore ne kliniken time për 3 ditë. Te gjitha ekzaminimet klinike neuromuskulore dhe vaskulare ishin ne norma fiziologjike me një përmirësim te vazhduar”, ka deklaruar ai.

Por gjendja shëndetësore e Isa Mustafës nuk po paraqet asnjë problem që ai t’ia mësyjë edhe një herë garës për ta rimarrë timonin e partisë që dikur po e udhëhiqte presidenti Ibrahim Rugova. Madje për këtë dje ka dhënë indikacione të qarta, të njëjtë ditë këtë gjë e bëri edhe rivali i tij Fatmir Sejdiu.

Ani se terapitë, Mustafa do të duhet që t’i vazhdojë edhe për një kohë. Kështu po sqaron mjeku Krasniqi.

Specialisti i Kirurgjisë së Përgjithshme në Gjermani, Dr. Med. Halil Krasniqi, thotë se pacienti në fjalë, pra Isa Mustafa, do të jetë i obliguar që të paktën edhe për një kohë t’i vazhdojë ekzaminimet e terapitë fizioterapeutike.

“Gjendja shëndetësore e Prof. Isa Mustafes  aktualisht është e mirë  dhe duke u bazuar në anamnezën e sëmundjes se deritanishme janë ekzaminuar përmirësime  te dukshme. Udhëzojmë qe te vazhdon fizioterapia e deritanishme”, sqaron për gjendjen shëndetësore mjeku Halil Krasniqi që operon në qendrën kompetente të rehabilitimit fizioterapeutik, “Helios”, e cila gjendet në qytetin jugperëndimor, Pforzheim, të Gjermanisë. 

Kujtojmë se Isa Mustafa ishte shtrirë në klinikën ku Krasniqi punon pas ftohjeve respiratore që kishte pasur e të cilat nuk i kishte trajtuar me kohë. Si pasojë e kësaj, gjendja shëndetësore e Mustafës sipas doktorit manifestohej me dobësim të aftësive lëvizëse të motorikës dhe muskulaturës.

“Ne jemi shumë të lumtur me sukseset avancuese në kthimin e funksionalitetit muskulor në tërësi. Këtë përmirësim fiziologjik edhe e kemi pritur nga trajtimi i deritanishëm ngase klinika e përgjithshme, është mjekuese”, kishte thënë për Express doktori që po e trajton Isa Mustafën në Gjermani.

Në muajin janar të vitit 2018, Isa Mustafa ishte trajtuar në një spital privat në Prishtinë

Lideri aktual i LDK-së ka mbajtur pozita të larta në hierarkinë komuniste para viteve të 90-ta. Pastaj është bërë pjesë e Qeverisë së Përkohshme të Bujar Bukoshit në ekzil. Pas luftës ka mbajtur pozita në udhëheqjen e institucioneve publike, si në Bordin e UP-së. Një kohë ka shërbyer si këshilltar i Fatmir Sejdiut për t’u bërë pastaj kryetar i Prishtinës deri më 2013. Më 2010 ka marrë pozitën e kryetarit të LDK-së.

Në zgjedhjet e fundit, pas rrëzimit nga pozita e kryeministrit, Mustafa vendosi të mos i hyjë as garës për deputet, duke ia lënë vendin e parë Avdullah Hotit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat