Limaj e Pacolli do të shkojnë për të diskutuar për “ngrohjen globale” me Haradinajn

Aktuale

Limaj e Pacolli do të shkojnë për të diskutuar për “ngrohjen globale” me Haradinajn

Më: 29 korrik 2019 Në ora: 18:29
Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli dhe Fatmir Limaj

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka bërë ftesë partnerëve të koalicionit në largim për një takim. Derisa ai me shaka tha se do të flitet për ngrohjen globale, pa dhënë detaje për nesër, Media mëson se do të diskutohet për zgjedhjet e punën që do të bëhet deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Mësohet gjithashtu se krerët e koalicionit PANA do të shihen të martën në ora 14:00, e këta kanë treguar se a do t’i shkojnë në konak Haradinajt apo jo.

Partnerëve të koalicionit PANA, iu mbeti hatri kur kryeministri, tash në dorëheqje, Ramush Haradinaj, tha se do të lirojë postin e të parit të Qeverisë, derisa këta të fundit nuk e patën asnjë informacion.

Duke ua rrezikuar pozitat që mbajnë tash e dy vite, Haradinaj nuk i lajmëroi për vendimin e tij, derisa këtë partnerët e koalicionit e morën vesh në mbledhjen e Qeverisë.

Për këtë çështje, drejtuar kryeministrit, partnerët i patën disa kritika, derisa Kadri Veseli, kreu i PDK-së, tha se vendimi personal i Haradinajt për t’u larguar u bë pa u konsultuar me të fare.

Si Veseli u ankua edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që në emisionin Pressing në T7 ka thënë se rendi e ka dashur që partnerët të ftohen që të diskutohet për këtë vendim personal të kryeministrit në dorëheqje.

Por, si duket Haradinaj për t’i qetësuar pak gjakrat ka vendosur që nesër t’i mbledhë për kafe partnerët e koalicionit, ku do të diskutohet për atë se çka do të veprohet më tutje. Media ka mësuar se takimi me ftesë të Haradinajt do të bëhet nesër në orën 14:00.

Ishte vetë kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj  që tha se ka thirr në takim kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin e Fatmir Limaj e Nismës Socialdemokrate, por edhe partnerët e tjerë të koalicionit.

 “E di që është prishur komoditeti i Qeverisë që kemi qenë në pushtet. Por, çka me bë. A me ruajt pushtet a me ruajt shtet. Ose a me ruajt Qeveri a me ruajt shtet. Ne duhet me shtetin, qeveritë ndërrohen, jetojmë në demokraci, por shteti mbetet. E kam ftuar për nesër edhe kryetarin Veseli, kryetarin Limaj, si dhe partnerët tjerë të koalicionit për një konsult për nesër”, u deklarua sot Hardinaj.

Për të parë se a do të shkojnë në konak të partnerit të tyre, shefat e koalicionit PANA, Express ka kontaktuar këta të fundit.

Derisa nga PDK deri në momentin e publikimit të lajmit nuk treguan se a do të marrin pjesë apo ajo, nga Nisma Social Demokrate, shefi i deputetëve të partisë, Bilall Sherifi i ka thënë medias se kreu i partisë, Fatmir Limaj do të shkojë në zgjedhje.

“Po Fatmir Limaj shkon nesër në takimin që e ka thirrur kryeministri”, tha shkurtimisht Sherifi.

Ndëekaq, nga AKR e Behgjet Pacollit janë deklaruar se kanë marrë ftesën që nesër të shkojnë te kryeministri për kafe, e që këta të fundit po thonë se zakonisht mbajnë takime me Haradinaj, e se edhe nesër do të jenë prezentë.

Tash kur zgjedhjet kanë mbetur në dorë të presidentit Hashim Thaçi, partitë politike veç kanë nisur fushatën zgjedhore.

Një takim me partitë politike ka paralajmëruar gjatë kësaj jave edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. I pari i shtetit, megjithëse nuk ka sqaruar se kur do të ndodhë një gjë të tillë, tha se këto ditë do t’i ftojë partitë për të diskutuar për atë se cka do të diskutohet pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat