Haradinaj e Veseli në garë edhe për shpërbërjen e Kuvendit

Aktuale

Haradinaj e Veseli në garë edhe për shpërbërjen e Kuvendit

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 11:05
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj bëri edhe një veprim taktik dje duke i ftuar në takim dje partnerët e deritashëm të koalicionit PDK, NISMA’n dhe AKR’në. Veseli duke mos dashur t’ia japë këtë privilegj Haradinajt tha se nuk do të shkojë në takime të ftuara nga “çdokush” ndërkohë që bëri thirrje që partitë të shkojnë në Kuvend dhe ta shpërbëjnë atë. E Haradinaj, dje,  tha me humor se në takimin në të cilin do të shkojnë NISMA dhe AKR do të flitet për ngrohjen globale.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj do të mbledhë edhe një herë, ndoshta për herë të fundit partnerët e koalicionit PAN, nëse i shkojnë të gjithë.

Derisa dje me shaka ai tha se do të flitet për ngrohjen globale, të njëjtët janë ftuar për të diskutuar për zgjedhjet e punën që do të bëhet deri më një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Takimi  do të mbahet në ora 14:00, nuk do të qetësojë gjakrat në mes të partnerëve të koalicionit, pas dorëheqjes së Ramush Haradinaj.

Dje për Gazetën nga Nisma Socialdemokrate e AKR e konfirmuan se do të marrin pjesë në takimin e thirrur.

Megjithatë, njejtë nuk u deklaruan nga PDK-ja. Megjithë insistimin, zyrtarët e kësaj partie nuk pranuan që të përgjigjen në pyetjet e dërguara.

Për këtë cështje foli mbrëmë kreu i partisë. Kadri Veseli, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, tha se nuk e kanë diskutuar ftesën që e ka bërë Ramush Haradinaj.

”Prioritet është interesi i qytetarëve. Askush nuk e ka diskutuar çështjen për të cilën po flasim. Është jetike që partitë politike të mos maltretojnë qytetarët”, tha Veseli.

Por, ai bëri thirrje që të votohet shpërbërja e Kuvendit.

“Ejani të shkojmë bashkarisht të marrim vendimin, ta mbajmë mbledhjen e Kuvendit me të cilën me një pikë të rendit të ditës shpërbëhet Kuvendi dhe hapet më pas procesi zgjedhor”.

Partnerëve të koalicionit PANA, iu mbeti hatri kur kryeministri, tash në dorëheqje, Ramush Haradinaj, tha se do të lirojë postin e të parit të Qeverisë, derisa këta të fundit nuk e patën asnjë informacion.

Duke ua rrezikuar pozitat që mbajnë tash e dy vite, Haradinaj nuk i lajmëroi për vendimin e tij, derisa këtë partnerët e koalicionit e morën vesh në mbledhjen e Qeverisë.

Për këtë çështje, drejtuar kryeministrit, partnerët i patën disa kritika, derisa Kadri Veseli, kreu i PDK-së, tha se vendimi personal i Haradinajt për t’u larguar u bë pa u konsultuar me të fare.

Si Veseli u ankua edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që në emisionin Pressing në T7 ka thënë se rendi e ka dashur që partnerët të ftohen që të diskutohet për këtë vendim personal të kryeministrit në dorëheqje.

Por, si duket Haradinaj për t’i qetësuar pak gjakrat ka vendosur që nesër t’i mbledhë për kafe partnerët e koalicionit, ku do të diskutohet për atë se çka do të veprohet më tutje. Gazeta  ka mësuar se takimi me ftesë të Haradinajt do të bëhet sot në orën 14:00.

Dje, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj tha se ka thirr në takim kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin e Fatmir Limaj e Nismës Socialdemokrate, por edhe partnerët e tjerë të koalicionit.

 “E di që është prishur komoditeti i Qeverisë që kemi qenë në pushtet. Por, çka me bë. A me ruajt pushtet a me ruajt shtet. Ose a me ruajt Qeveri a me ruajt shtet. Ne duhet me shtetin, qeveritë ndërrohen, jetojmë në demokraci, por shteti mbetet. E kam ftuar për nesër edhe kryetarin Veseli, kryetarin Limaj, si dhe partnerët tjerë të koalicionit për një konsultë për nesër”, u deklarua Haradinaj.

Një takim me partitë politike ka paralajmëruar gjatë kësaj jave edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. I pari i shtetit, megjithëse nuk ka sqaruar se kur do të ndodhë një gjë të tillë, tha se këto ditë do t’i ftojë partitë për të diskutuar për atë se çka do të diskutohet pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj./ Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat