Haradinaj thërret në takim partnerët e koalicionit, PDK nuk i përgjigjet ftesës

Aktuale

Haradinaj thërret në takim partnerët e koalicionit, PDK nuk i përgjigjet ftesës

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 13:41
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj do të takojë sot partnerët e koalicionit për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm.

Takimi, siç raportohet do të mbahet me fillim prej orës 14:00 në zyrën e kryeministrit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi ka konfirmuar se ata do të marrrin pjesë në takimin e thirrur nga Haradinaj.

Pjesë në këtë takim pritet të marrë edhe Aleanca Kosova e Re.

Ndërkaq partneri kryesor i koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës nuk pritet që t’i përgjigjet ftesës së Haradinajt.

Një gjë të tillë e la të kuptohet edhe kryetari i partisë, Kadri Veseli i cili dje tha se zgjedhjet janë të pashmangshme, dhe se takime të tilla nuk janë të nevojshme.

Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit pas ftesës që i erdhi nga Specialja për tu paraqitur për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Ai u intervistua javën e kaluar në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat