Presidenti kërkoi nga Kadri Veseli mandatarin për kryeministër, reagojnë ashpër AAK e Nisma

Aktuale

Presidenti kërkoi nga Kadri Veseli mandatarin për kryeministër, reagojnë ashpër AAK e Nisma

Më: 2 gusht 2019 Në ora: 14:50
Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Për dallim prej PDK-së, AAK dhe NISMA, si partnerë të koalicionit qeverisës e kanë kundërshtuar kërkesën e Presidentit Hashim Thaçi, për një mandatar për kryeministër të Qeverisë së Kosovës.

Ali Berisha nga radhët e AAK-së, duke e kundërshtuar një formulë të tillë, tha se Presidenti Thaçi, po mundohet ta fundos ish-partinë e tij PDK-në

“Beteja e humbur e Hashimit! Duke parë trendet në ramje të PDK-së dhe liderit të saj, presidenti me vetëdije po mundohet ta fundos atë”, ka deklaruar Berisha, përmes një reagimi publik.

Në anën tjetër nga radhët e NISMA-s, Bilall Sherifi tha për Express se “këto janë përpëlitjet e fundit të Hashim Thaçit para se të detyrohet të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme!”

Por jo të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës po mendojnë një zëri. Numri dy i PDK-së Xhavit Haliti, tha se kryetari i koalicionit PAN, Kadri Veseli do të takohet me krerët e partive në koalicion për t’u marrë vesh lidhur me mandatarin e ri.

“Z. Thaçi ka vepruar në bazë të Kushtetutës me këtë letër drejtuar z. Veseli si kryetar i koalicionit PAN. Tani pritet që koalicioni PAN të mblidhet dhe të dalë me propozim për kandidatin e ri për kryeministër. Pastaj varët nga Kuvendi nëse ia jep besimin apo jo“, tha ai.

Proceduralisht, pas caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën e Kuvendit, kandidati i ri për kryeministër jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Nëse ajo përbërje e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet që duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat