Kosova një hap më afër zgjedhjeve të parakohshme

Aktuale

Kosova një hap më afër zgjedhjeve të parakohshme

Më: 2 gusht 2019 Në ora: 17:53
Kuvendi i Kosovës

Pak orë pasi që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi koalicionit fitues të zgjedhjeve të vitit 2017, që të propozojë mandatarin e ri për themelimin e qeverisë, pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj, kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, tha se nuk ka një mandatar të tillë dhe ”është koha për të dëgjuar vullnetin e sovranit".

Zoti Veseli, që ishte edhe bartës i listës së koalicionit të deritashëm qeverisës tha se mbledhja e kryesisë "ka për qëllim të saktësojë në mënyrë zyrtare dhe institucionale qëndrimet e çdo grupi parlamentar në lidhje me situatën e krijuar pas rënies së qeverisë së Kosovës, si dhe konkretizimin e hapave për përcaktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë, si udhëheqës i koalicionit PAN, i kam kthyer përgjigje Presidentit të Republikës së Kosovës dhe e kam njoftuar se nuk do të ketë mandatar tjetër. Kam thënë dhe e përsëris: zgjedhjet janë te pashmangshme dhe janë në interes të Republikës së Kosovës", shkroi ai mes tjerash në rrjetet sociale.

Emërimi i një mandatari të ri apo caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme në këshillim me partitë politike, janë mundësitë kushtetuese të presidentit. Ndërsa shpërndarja e parlamentit është po ashtu një nga mundësitë që duket se tashmë do të ndodhë.

Partitë politike deri tash edhe ashtu kishin hedhur poshtë çdo mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të reja, ndërsa një pjesë e tyre kishte kërkuar nga presidenti i vendit që të veprohet më shpejt në të kundërtën do të hedhin nismën për shpërndarjen e parlamentit përmes votimit që kërkon dy të tretat e votave të parlamentit 120 vendesh.

Nëse deputetët merren vesh për shpërndarjen e parlamentit atëherë presidenti duhet t'i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen më së largu 45 ditë pas shpalljes së tyre.

Kosova u fut në një krizë të re politike pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr javën e kaluar për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme në Hagë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat