Dy orë e gjysmë pritje në Merdare për të hyrë në Kosovë

Aktuale

Dy orë e gjysmë pritje në Merdare për të hyrë në Kosovë

Më: 4 gusht 2019 Në ora: 22:21
Foto ilustrim

Edhe më tutje qytetarët vazhdojnë të përballen me pritje e kolona të gjata në kufijtë e Kosovës.

Qytetarët gjatë gjithë ditës së sotme janë përballur me pritje e kolona të gjata nëpër kufijtë e Kosovës me Serbinë.

Në krahasim me ditët e kaluara, pritjet dhe kolonat e gjata janë rikthyer në hyrje të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar fluksin në pikëkalimet kufitare.

Sipas këtyre statistikave pritjet dhe kolonat më të gjata janë në Merdare, ku qytetarët janë duke pritur dy orë e gjysmë apo 150 minuta për të hyrë në Kosovë, ndërkaq kolona ka arritur deri në 800 metra.

Po ashtu edhe në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë ka pritje e kolonë. Te Dheu i Bardhë qytetarët janë duke pritur deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë kurse kolona është 150 metra. Po ashtu në këtë pikë kufitare pritja për të dalë nga Kosova është deri në 25 minuta.

Edhe në pikëkalimin kufitar Jarinje ka pritje për në hyrje të Kosovës. Në Jarinje qytetarët janë duke pritur deri në 40 minuta kurse kolona ka arritur deri në 80 metra.

Edhe në dalje të Kosovës në pikëkalimin kufitar Muçibabë ka pritje. Sipas statistikave, pritja është deri në 30 minuta, ndërkaq për të hyrë në Kosovë pritja është maksimumi 15 minuta.

Ndërkaq sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, nëpër të gjitha pikëkalimet e tjera kufitare pritjet nuk janë më të mëdha se 15 minuta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat