Deputetja e PDK-së: Partitë joserioze merren me vija të kuqe

Aktuale

Deputetja e PDK-së: Partitë joserioze merren me vija të kuqe

Më: 6 gusht 2019 Në ora: 19:38
Ganimete Musliu

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se nuk u beson shumë thirrjeve të partive për koalicione parazgjedhore.

“Jam munduar që të mos preukupohem shumë me deklaratat e partive të tjera. Megjithatë, unë nuk i shoh si thirrje, më shumë i shoh si klithma parazgjedhore se sa si thirrje serioze për të ofruar diçka te qytetari i Kosovës”, ka thënë ajo.

Musliu nuk ka dashur të komentojë thirrjen e liderit të Vetëvendosjes për një koalicion të përbashkët opozitar.

“Unë besoj që Vetëvendosja nuk e ka atë peshë politike që partitë e mëdha politike siç janë PDK-ja dhe LDK-ja t’i rrinë kujdestarë deklaratave ditore se kush çka po thotë dhe t’i përgjigjemi”.

“Nëse vendi shkon në zgjedhje duke u marrë ne me njëri-tjetrin, atëherë çfarë po i ofrojmë ne qytetarit të Republikës së Kosovës? Ne duhet t’i prezantohemi qytetarëve me ide, projekte dhe alternativa”.

“Mendoj se kemi humbur shumë kohë duke e preokupuar qytetarin me tema shumë të parëndësishme ditore për qytetarët e Kosovës”.

Musliu ka thënë se Kosova ka nevojë për një opozitë të fortë.

“Kosova nuk e ka pasë qeverinë më të mirë në këto dy vjet, por Kosova ka lënguar dhe vazhdon të lëngojë për një opozitë të fortë parlamentare sepse e kemi pasë opozitën bojkotuese dhe shantazhuese”.

Deputetja e PDK-së ka lënë të nënkuptohet se kjo parti nuk ka vija të kuqe për koalicione me partitë e tjera.

“PDK është një parti serioze e cila i ka prirë të gjitha proceseve të rëndësishme për vendin – asnjë proces vendimtar për Kosovën nuk ka filluar dhe nuk ka përfunduar pa i prirë PDK-ja”.

“PDK-ja vazhdon edhe më tutje ta mbajë atë primat. Në momentin që PDK-ja vazhdon të merret sa për konsum medial dhe të vendose vija të kuqe për partitë e tjera, atëherë e humb primatin e një partie serioze shtetbërëse”.

“Unë e kam thënë edhe më herët që përderisa ne me Kushtetutë e kemi të obligueshme që të kemi edhe Listën Serbe në koalicion, pse mos të bashkëpunojmë?”.

“Mendoj që partitë joserioze dhe nuk kanë çfarë t’i ofrojnë qytetarit merren me vija të kuqe, por do t’iu mbesin vetëm vija të kuqe kështu nëpër studio”.

“Kështu sikur po bëjnë garë të vënë vija të kuqe për PDK-në të njëjtin vrap e bëjnë se kush po i heq i pari vijat e kuqe”.

“Të gjitha partitë që sot i kanë qitë vijat e kuqe i kanë qitë edhe në të kaluarën. Jemi dëshmitarë se të gjitha partitë që i kanë qitë vijat e kuqe kanë vrapuar se kush më përpara do të hyjë në koalicion me PDK-në dhe të jetë pjesë e qeverisë”.

Musliu nuk ka dashur të komentojë sondazhet që tregojnë rradhitjen e partive politike aktualisht.

“PDK të vetmit sondazh që i beson 100 % është elektorati i PDK-së që i ofron mbështetje të jashtëzakonshme dhe çdo herë e ka nxjerrë fituese”.

Deputetja e PDK-së nuk ka treguar nëse në Listën Zgjedhore të PDK-së do të ketë njerëz me aktakuza ose jo – duke marrë parasysh që Kadri Veseli ka larguar nga postet personat që kanë aktakuza.

“Unë mund të them që PDK-ja do të ofrojë listën më profesionale të mundshme para elektoratit të saj. Është ende herët të flasim pasi ne nuk jemi ulur të bisedojmë se kush do të jetë në listë, por PDK do të ofrojë listën më të dëshmuar dhe profesionale para elektoratit”.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës do të kenë mundësinë më të mirë zgjedhëse brenda listës së PDK-së”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat