U nervozua me të moshuarin nga Mitrovica, Haradinajt i vjen “goditja”: Marre për sjelljen

Aktuale

U nervozua me të moshuarin nga Mitrovica, Haradinajt i vjen “goditja”: Marre për sjelljen

Nga: A.Zh Më: 7 gusht 2019 Në ora: 13:48
Ramush Haradinaj dhe plaku nga Mitrovica

Opinionisti Hafi Shala, i ka reaguar kryeministrit në largim Ramush Haradinaj, i cili dy ditë më parë iu përgjigj i nervozuar një të moshuari në Mitrovicë, që e kritikoi për mos investime në Trepçë.

Shala përmes një reagimi të dërguar në gazetën “Bota sot”, ka thënë se Haradinaj dhe politikanët tjerë, duhet të respektojnë punëtorët, pasi sipas tij, ata liderët janë “shërbyes” të tyre.

Ai veprimin e Haradinajt e ka quajtur “marre”, derisa ka këshilluar atë që kritikat, vërejtjet dhe sugjerimet, t’i merr me gjakftohtësi.

Reagimi i plotë i Shalës:

Zoti Kryeministër në largim, është marre për ty t’i përgjigjesh dhe të sillësh ndaj minatorit ashtu

Kur të organizosh biseda me qytetarët, gjitmonë duhesh të jesh i gatshëm t’u përgjigjesh pyetjeve edhe shumë më të drejtëpërdrejta dhe të vështira.

Minatori, në këtë rast kishte absolutisht të drejtë edhe si qytetar e posaçërisht si minator simbol dhe krenari e punëtorisë shqiptare në këtë rast kosovare.

Ai, më kolegët e tij minator, e dridhën ish-Jugosllavinë dhe ishin ma syçeltë nën horizontin e 7-të me qindra metra nën tokë, se sa politikanët e atehershëm qoftë edhe qytetarët se çka po i përgatitet Kosovës.

“Periskopi” i tyre ishte shumë preciz dhe largëpamës.

Udhëtuan këmbë nga Mitrovica për në Prishtinë me bërtima ditën e natën duke i kundërshtuar, politikat e atqhershme hegjemoniste të serbosllavisë në bashkëpunim me mercenarët e tyre të tipit të Ali Shukrisë e Hysamedin Azemit.

Me ta dhe kërkesat e tyre, u solidarizuen kolegët e tyre minator nga e gjithë bota. U mbyllën në zgafellë të gatshëm që ta sakrifikojnë jetën e tyre mu sikur ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (ata që nuk janë në mesin tonë), prandaj, lirisht mund të thuhet se ata minatorë, ishin heronjë të nëntokës dhe mbitokës.

Në jetën time politike, veprimtaria ime kryesore ka qenë sindikale, si në ish-Jugosllavi duke e kontinjuar përmes Sindikatave të Pavarura të Kosovës pas suprimimit të Autonomisë përmes politika të tankeve si një ndër shtyllat kryesore të levizjës gjithëpopullore e nisur nga Altërnativa, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Veprimtaria e Sindikatave të Pavarura të Kosovës e themeluar më 17 dhjetor 1989 nga Këshilli Inicues i punëtorëve të “Ramiz Sadikut” Organizatë e shquar ndërtimore (ku edhe isha drejtor në udhëheqjen e të ashtuquajtur të dhunshme derisa udhëheqja e atëhershme e Serbisë i largoi nga puna të gjithë punëtorët që atëherë ishin diku kah 7200, ndërsa mua ma lëshuan vendimin ndër drejtorët i pari si tepricë teknologjike. Cinizëm, por, ata e realizuan qëllimin e tyre.

Koordinimi i veprimtarive politico-sindikale ishte në vijën e përbashkët.

Sa për kujtesë: më 30 qershor dhe 1 korrik, në qytetin e Gjakovës, u mbajt Kongresi i Parë i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (së pari herë në histori të emërtohet si Kongres pasi Krahinat nuk kishin të drejtë në Kongrese por në Konferenca) nën rrethojat policore të armatosur deri në dhëmbë gjatë zhvillimit të punëve të Kongresit. Një mirënjohje e posaçme për gjakovarët për organizim e mikëpritje të paparë.

Më 2 Korrik u lexua dhe u aprovue Deklarata Kushtetuese (para ndërtesës së Kuvendit, sepse Delegatëve nuk ju lejuar hyrja në sallë).

Isha aty por, në të njëjtën kohë ishte edhe veprimtarja për të drejtat e njeriut zonja Eva Brendly (nga SHBA-të) e cila edhe i këshilloi delegatët se pa marrë parasysh se seanca nuk mbahet brenda në Kuvend, konsiderohet legjitime.

Ajo, pasi nuk shihte, me vete e kishte edhe qenin përcjellës, i cili reagonte ndaj policëve serb duke iu vërsulur si i tërbuar.

Më 3 shtator u mbajt Greva gjenerale ku iu përgjigj e tërë popullata e Kosovës ndonjëherë e paparë, dhe, më 7 Shtator u shpallë Kushtetuta e Reoublikës së Kosovës e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.

Kryefjala e këtyre rrjedhave ishin minatorët e Trepçës, të cilët askush nuk i gjunjëzoi deri sot dhe me nderin, respektin dhe përkushtimin ndaj pasurisë së shtetit dhe ruajtjën e qëniess kombëtare, ishin dhe janë të gatshëm të sakrifikohen. Këtë, edhe dëshmuan disa herë.

Zoti Kryeministër në dorëheqje, gabove keq dhe rëndë. Qytetari pati plotësisht të drejtë sepse me siguri se do të ishte investimi në Trepçë me prioritet për të cilat, përpos zvogëlimit të papunësisë, është njëherit dhe zvogëlimi i rasteve sociale që janë në gjendje të rëndë e posaçërisht minatorët e asaj ane dhë minierave dhë minatorëve tjerë në tërësi.

Qeveritë e asfalltit të pasluftës që nuk ti je i vetmi, por këtë e nisi ai që fatkeqësisht është sot në krye të shtetit, i harruan prioritetet shoqërore, siç janë arsimi e shëndetësia, kujdesi ndaj fëmijëve dhe të moshuarve e shumë prioritete të tjera.

Qytetari me plis të bardhë, zoti Kryeministër në dorëheqje, atë simbol që e mbanë mbi kokë, nuk e hoqi, as në paqe, as në luftë dhe as nën regjimin e Millosheviqit.

Të investosh në Trepçë që tenton ta konteston Serbia në bashkëveprim me argatët e saj, do të thotë se ti je pronari.

Nastradin Hoxha e kishte vjerrë qyrkun në një shtëpi dhekur mori me u ngrit, të zotit të shtëpisë itha: edhe unë kam hise në këtë shtëpi. Shikoje, e kam vjerrë qyrkun këtu dhe kam hise.

Politika me gjoks nuk bëhet, por më dije. Edhe për këtë lëmi, kryhen fakultete, por jo me plagjiatura, por vërtetë me dije dhe vepra.

Ky popull është shumë i urtë bile edhe tepër i urtë që duroi kaq shumë dhe i respekton udhëheqësit shtetëror, por vërtetë me sjellje të këtilla, respekti zbehet deri te heqja dorë nga ai.

Ti je shërbëtori i tij e jo ai i yti sepse, e ke shprehë dëshirën të vish në pushtet, prandaj, kritikat, vërejtjet dhe sugjerimet duhet të merren me gjakftohtësi.

Tani kur do t’i shpallni zgjedhjet e parakohshme, me siguri së të duhet edhe vota e këtij qytetari, por jam shumë i sigurt se ky ka autoritet dhe ka përkrahjen e bashkëvendasve dhe kolegve të vetë, prandaj mund të ndikojë negativisht në vota. Vota e sovranit si armë e vetme demokratike, mund dhe duhet t’i ndëshkojë dështimet.

Për minatorin, zotëri Kryeministër në largim, nuk do të gabosh të ngritësh edhe në këmbë.

Unë mendoj kështu, ti vazhdoje me tënden.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat