Betohen 38 vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes në Kosovë

Aktuale

Betohen 38 vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes në Kosovë

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 14:59
Betohen 38 vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes në Kosovë

38 vullnetarë të rinj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pjesë e grupit të gjashtë të vullnetarëve të Korpusit të Paqes kanë përfunduar me sukses trajnimin dhe nga sot janë në shërbim të Korpusit të Paqes në Kosovë.

Të 38 vullnetarët janë betuar sot në një ceremoni në Prishtinë dhe do të shërbejnë për 24 muaj në komunat e Kosovës.

Në këtë ceremoni i pranishëm ka qenë edhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë Philip Kosnett, i cili duke iu drejtuar vullnetarëve tha se kanë punuar me shumë mund për t’u kualifikuar në këtë program.

Kosnett tregoi se djali i tij ka shërbyer si vullnetar në Filipine, dhe kishte jetuar në plazh. Kosnett u tha vullnetarëve se në Kosovë nuk ka det, por ka male të mrekullueshme.

Kosnett: Keni punuar me shumë mund për t’u kualifikuar në këtë program

“Vullnetarët tanë të rinj urime, keni punuar me shumë mund për t’u kualifikuar në këtë program, tani jeni përfaqësues të Amerikës. Drejtori i parë i Korpusit të Paqes ka thënë që Korpusi i Paqes do të thotë gjithçka për të cilën ne besojmë dhe shpresojmë ta arrijmë në botë... Natyrisht jo të gjithë vullnetarët do ta vazhdojnë të njëjtën punë siç e kanë bërë në Korpusin e Paqes, por unë besoj se përvoja juaj do t’iu pasurohet pa marrë parasysh çfarë rruge profesionale do të zgjidhni. Siguroni familjarët në shtëpi se Korpusi i Paqes mund të jetë puna më e vështirë të cilën do ta doni, por mund t’iu qoj tek një punë tjetër të cilën do ta doni po aq shumë ku edhe ju paguajnë”, tha ai.

I pranishëm ishte edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Tokologjisë  Shyqiri Bytyqi, i cili tha se Kosova është përherë mirënjohëse ndaj  ShBA-ve për kontributin që ka dhënë për popullin kosovar.

Bytyqi: Ju do të jeni miqtë tanë të përhershëm dhe do të gëzoni një mirënjohje të gjeneratave

“Programi juaj që po ofrohet në bazë vullnetare i mbështetur nga ShBA-të në fokus kryesisht në ofrimin e ndihmës se shoqërisë dhe vendeve të ndryshme që marrin informacion për kulturën dhe traditën amerikane dhe njëkohësisht njoftojmë qytetarët amerikan për njohjen dhe kulturën e traditave të vendeve të ndryshme të botës, tashmë ka vend edhe në vendin tonë për çka jemi mirënjohës. Ata të cilët do të kalojnë nëpër programin tuaj do të ndjehen të realizuar, gjithashtu do të kenë edhe sfondin kur do të shohin një botë të re që po lind, pra një botë e cila vije nga praktika amerikane për ndërtim, zhvillim individual dhe shoqëror. Ne jemi shtet i ri dhe rrethanat kanë sjell në situatën që sot ne jemi një Qeveri në dorëheqje, por dua të siguroj se miqësia Kosovë-ShBA është e mbjellë në mirënjohjen e popullit tonë për gjithçka vendi juaj ka bërë për lirinë tonë. Ju do të jeni miqtë tanë të përhershëm dhe do të gëzoni një mirënjohje të gjeneratave tjera në vazhdim”, tha ministri. 

Kurse, drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë Darlene Grant, duke iu drejtuar vullnetarëve tha se ata po kontribuojnë këtu për ta bërë botën një vend më të mirë.

Grant: Vullnetarët do të shërbejnë për 24 muaj pa rrogë, duke jetuar me familjet vendore

“Vullnetarët do të shërbejnë për 24 muaj pa rrogë, duke jetuar me familjet vendore, do të hanë ushqimin e njëjtë, do të shkojnë me autobusët e njëjtë, do të mundohen të jenë qytetarët më të mirë me komunitetin e tyre vendor. Për vullnetarët tanë të Korpusit të Paqes, Korpusi i Paqes është një shërbim mësimor, është zbulues dhe gjithashtu është një zbulim i mirëkuptimit reciprok, veçanërisht për të kuptuar se çka na bënë neve të ngjashëm, përkundër asaj se çka na bënë neve të ndryshëm. Unë besoj se ky shërbim i Korpusit të Paqes është një nga vendimet më të rëndësishme të jetës tuaj, për të ardhur këtu, për të lënë familjet tuaja, shokët, që të shërbeni këtu”, tha ajo.

Ndërkaq, drejtoresha për program dhe trajnime Karen Scheuerer, tha se shërbimi i Korpusit të Paqes është një përvojë magjike e cila i hapë mundësi zemrës dhe mendjes për mundësi të reja.

Scheuerer: Përvojë e cila i hapë mundësi zemrës dhe mendjes për mundësi te reja

“Faleminderit familjeve mikpritëse që keni hapur zemrat dhe shtëpitë e juaja, ju keni qene pjesë shumë e rëndësishme e asaj çka ne quajmë magjia e Korpusit të Paqes, lidhja e papërshkrueshme që ndodh kur dikush e hap veten ndaj kësaj përvoje. Gjithashtu, do te doja të falënderoja ekipin tone ne rritje te Korpusit të paqes për përpjekjet e mëdha për t’i ndihmuar vullnetarët gjatë këtij procesi...Besoj që shërbimi i Korpusit të Paqes është një përvoje magjik, përvoje e cila i hap mundësi zemrës dhe mendjes për mundësi te reja. Korpusi i Paqes zgjeron horizontet jo vetëm për vullnetaret por për te gjithë komunitetin pjese e shërbimit e vullnetareve”, tha ajo.

Të 38 vullnetarët e rinj të ShBA-ve kanë përfunduar trajnimin e tyre 10 javësh për gjuhën, kulturën, si dhe trajnime teknike në Komunën e Kamenicës dhe në fshatrat përreth si Koretini, Topanica dhe Rogana.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat