Mustafa hedh poshtë arnimin e qeverisë: Mund ta marrin për goje ata që nuk e duan LDK-në

Aktuale

Mustafa hedh poshtë arnimin e qeverisë: Mund ta marrin për goje ata që nuk e duan LDK-në

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 22:00
Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se partia e tij nuk ka marrë asnjë ofertë që të bëhet pjesë e një qeverie teknike të vendit.

“Në asnjë rast nuk kemi pasur ftesa të tilla, e as kërkesa të tilla”, ka thënë ai, duke hedhur poshtë mundësinë që të arnohet qeveria e që vendi të mos shkojë në zgjedhje, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të vendit.

“Të gjitha këto janë të kota. Janë biseda, opinione, që po e ngarkojnë opinionin publik. Është e pamundur të bëhet një arnim i tillë”, është shprehur ai.

Ai ka kujtuar se Kuvendi tashmë ka marrë vendim që më 22 gusht të shpërbëhet, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve.

Sipas Mustafës, edhe nëse Partia Socialdemokrate do t’i jepte votat për një qeveri teknike, ajo s’do të mund të bëhej, teksa mungojnë votat e Listës Serbe.

“Mund ta marrin për goje ata që nuk e duan LDK’në… se në LDK askujt në mend s’i ka rënë që të ulet e ta arnojë qeverinë”, është shprehur ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat