Protestojnë punëtorët e ANP, kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre

Aktuale

Protestojnë punëtorët e ANP, kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 15:57
Protestojnë punëtorët e ANP, kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre

Sindikata e pavarur e punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka mbajtur sot një protestë njëorëshe, ku kanë shprehur shqetësimet e tyre për padrejtësitë që sipas tyre po u bëhen nga menaxhmenti i këtij aeroporti.

Ndër kërkesat që punëtorët kanë është kompensimi dhe beneficionet e tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendit të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesa e shujtës.

Kryetari i Sindikatës Bashkim Latifi, ka thënë se prej ardhjes së turqve në krye të aeroportit të Prishtinës ka filluar shkelja e të drejtave të punëtorëve.

Po ashtu, ai thotë se qysh në vitin e parë ishte larguar nga puna kryetari i atëhershëm i sindikatës, e sipas tij kjo është bërë që të shuhet zëri sindikal.

Latifi: Prej fillimit të ardhjes së Limak-ut të drejtat elementare kanë shkuar drejtë degradimit

“Prej fillimit të koncensionimit të Aeroportit të marr nga Limak-u të drejtat elementare të punëtorëve kanë shkuar drejtë një degradimi, trajektorja e zhvillimit ka shkuar drejtë shkuarjes teposhtë drejtë të mirave materiale dhe shtypjes së punëtorëve”, tha ai.

Latifi ka treguar se cilat janë kërkesat që punëtorët kërkojnë që menaxhmenti i Aeroportit t’i plotësojë, e që sipas tij janë të drejta elementare.

Latifi: Të bëhet eliminimi i diskriminimit në pagë tek sektorët e njëjta

“Kërkesa e parë është kompensimi dhe benefitet e tjera për rrezikshmërinë, pushim vjetor dhe përvoja e punës, për detyra dhe punë me shërbime që janë të ekspozuara direkt në dëmtimin e shëndetit të punëtorit sipas ligjeve në fuqi... E dyta, është të bëhet eliminimi i diskriminimit në pagë tek sektorët e njëjta, punëtorë të njëjtit sektor, për orë punë, licencë të njëjtë, sepse ajo është diskriminim që mund të argumentohet në cdo moment kur menaxhmenti nëse është me vullnet me i evidentua dhe me i heq kur të duan e bëjmë një komision të jashtëm dhe i argumentojmë që ka shkelje, kjo është diskriminim. Kërkesa e tretë është pagesa e shujtës, pagesë të cilën punëtorët e kanë gëzuar edhe para luftës, por me ardhjen e Limak-ut ajo pagesë nuk ekziston...Kërkesa e katërt është pagesa për pervojën e punës, sepse punëtorët janë lodhur, janë harxhuar dhe ësh të e rregulluar me kontratën kolektive që është kanë në fuqi dhe nuk është zbatuar. Kërkesa e pestë është orët e vikendit të paguhen”, tha ai.

Po ashtu, kryesindikalisti Latifi ka përmendur disa nga padrejtësitë që sipas tij u janë bërë punëtorëve nga menaxhmenti i Aeroportit, derisa ka theksuar se ka edhe diskriminim gjinor.

Latifi: Një punëtore e gjinisë femërore merr 300 euro dhe një punëtor i gjinisë mashkullore i merr 450 euro

“Nuk ka shkelje më të rëndë sesa në një vend të punës që punojnë dy punëtorë për të njëjtat orë, për të njëjtin kualifikim, për të njëjtën përgjegjësi, por ai në një karrige aty unë në një këtu, unë i marr 450 euro ai tjetri 300 euro. Është edhe diskriminim gjinor sepse ka raste aq shumë në Aeroport kur një punëtore e gjinisë femërore merr 300 euro dhe një punëtor i gjinisë mashkullore i merr 450 euro, për të njëjtën punë dhe orë të punës. Këtu është ajo shkelja më flagrante”, tha ai.

Ai thotë se të gjitha këto kërkesa i kanë adresuar tek menaxhmenti qysh në mars të këtij viti, por që sipas tij kanë marrë një përgjigje se ujë, kafe dhe sheqer u japin pa kufi, ndërsa thotë se në letër u është thënë se nuk kanë të drejta të tjera.

Pas protestës së sotme, kryetari i sindikatës Bashkim Latifi, thotë se manaxhmenti ka një afat prej 10 ditësh që të përmbushë kërkesat e tyre, e në rast se nuk përmbushet do të shkojnë në greva njëorëshe e për të vazhduar me grevë gjithëditore.

Latifi: Do të shkojmë në grevë njëditore

“Me datën 19 të këtij muaji fillimisht do të ketë një grevë 1 orë... dhe nëse nuk reflektohen prapë menaxhmenti me u ul me i diskutua të drejtat e punëtorëve, me diskutua me sindikatën për të drejtat e punëtorëve, neve të nesërmen me datën 20 do të shkojmë në grevë 2 orëshe. Nëse nuk reflektojnë as ditën e dytë, neve ditën e tretë me 21 do të shkojmë me grevë një ditore”, tha ai.

Latifi bëri të ditur se pas grevës së sotme ata nuk janë ftuar nga menaxhmenti për të diskutuar për kërkesat e tyre, madje ai thotë se është e habitshme injorimi dhe heshtja e tyre.

Megjithatë, zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” sot përmes një konference për media kanë deklaruar se kërkesat e punëtorëve janë të pabazuara dhe joligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat