FSK-së i bashkohen 337 pjesëtarë të rinj

Aktuale

FSK-së i bashkohen 337 pjesëtarë të rinj

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 12:14
FSK-së i bashkohen 337 pjesëtarë të rinj

Forcës së Sigurisë së Kosovës zyrtarisht sot i janë bashkuar 337 pjesëtarë të rinj, në mesin e tyre 52 femra dhe 22 nga komunitetet pakicë.

Certifikimi i sotëm shënon gjeneratën e parë të rekrutëve që i bashkohen Forcës pas mandatit me misionin e saj të ri. Aty u fol për mbrojtjen e sovranitetit të vendit, dhe u tha se kufijtë e shtetit të Kosovës nuk do të prekën asnjëherë.

Pas përfundimit me sukses të trajnimit bazik nëntë javor, 337 rekrutë dhanë betimin të premten para komandantit të FSK-së, dhe ministrit të Mbrojtjes.

Nga eprorët, atyre ju kërkua të punojnë shumë në ndihmë të procesit të tranzicionit në FSK.

Komandanti i Forcës, gjenerallejtnant Rrahman Rama, u tha pjesëtareve të rinj që nga ata pritet të jenë të disiplinuar dhe të përkushtuar.

Duke kujtuar që FSK është kredibile e multietnike, e gatshme për të kontribuar për paqe, gjeneral Rama u tha se ata do të jenë pjesë procesit të tranzicionit për mandatin e ri për mbrojtje të sovranitetit të vendit.

Rama: Rekrutët e rinj janë pjesë e tranzicionit për mandatin e ri për mbrojtje të sovranitetit të vendit

“Vizioni ynë është i qartë, ai është integrimi në strukturat veri-atlantike, ne jemi të vetëdijshëm që ky vizion kërkon angazhim e përkushtim shtesë, mirëpo me përkrahjen e vazhdueshme të partnerëve tanë strategjik, rrugëtimi ynë do të jetë më i lirë. Të nderuar ushtarë të FSK-së, ka filluar tranzicioni sipas planit bazuar në mandatin e ri për mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Nga sot ju do të jeni pjesë e këtij procesi, andaj kërkoj nga ju angazhim shtesë duke i shfrytëzuar njohuritë dhe aftësitë tuaja të fituara deri më tani, në mbështetje të këtij procesi. Gjithashtu kërkoj nga gjithë pjesëtaret e FSK-së të punojnë në mënyrë të vazhdueshme në ngritjen e zhvillimit profesional në mënyrë që ky proces i tranzicionit të kryhet me sukses”, tha ai.

E ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, tha se sot është datë me rëndësi për jetën dhe karrierën e pjesëtareve të rinj të FSK-së dhe për gjithë shtetin.

Sipas tij, nuk ka detyrë më të ndershme sesa shërbimi ndaj vendit.

Berisha: Synimi ynë strategjik është anëtarësimi në NATO

Jemi duke punuar me partnerët tanë strategjik që misioni i ri i FSK-së, kapacitet që janë të parapara për planin gjithëpërfshirës të tranzicionit të arrihen konform planit dhe të jemi të gatshëm të kryejmë detyrat tona, obligimet tona dhe të jemi faktor paqeje, stabiliteti, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Synimi ynë strategjik është anëtarësimi në NATO, dhe unë jam i bindur që pa marrë parasysh sfidat gjeopolitike të çastit, me djem dhe vajza si ju, e ardhmja euroatlantike e Republikës së Kosovës është e sigurtë”, tha ai.

Ai e konsideroi me fat këtë gjeneratë, meqë është e para që po i bashkohet Forcës me mandatin e ri ushtarak.

Në ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Aty ai foli për territorin dhe mbrojtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës, ku tha se integriteti territorial dhe kufijtë e shtetit janë të shenjtë dhe të paprekshëm gjithmonë.

Veseli: Nuk lejojmë askënd të na cenojnë sovranitetin e vendit

“Ushtria e Kosovës është sot element i domosdoshëm i stabilitetit dhe paqes në rajon. Ne nuk e kërcënojmë askënd, kurrë nuk e kemi bërë këtë gjatë historisë sonë, por as nuk do të lejojmë askënd të na cenojë lirinë dhe shtetin tonë. Integriteti territorial dhe kufijtë e shtetit tonë janë të shenjtë, janë të paprekshëm sot dhe gjithherë. Ushtria e Kosovës do të vazhdojë procesin e fuqizimit dhe profesionalizmit të saj për tu bërë gati për fazën e anëtarësimit në NATO. Ne do të rrisim buxhetin për ushtrinë, ne kemi mundësi për ta bërë këtë, dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha ai.

Veseli tha se Kosova ka vetëm rrugën përpara, rrugën e zhvillimit ekonomik, rendit të ligjit, fuqizimit të shtetit dhe partneritet në integrim në NATO dhe BE.

Në këtë ceremoni u bë e ditur edhe se disa prej pjesëtareve janë shpërblyer nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, si rezultat i sukseseve të larta të treguara gjatë stërvitjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat