AGK reagon pas ftesës të policisë ndaj Parim Ollurit

Aktuale

AGK reagon pas ftesës të policisë ndaj Parim Ollurit

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 14:31
AGK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas ftesës që i është bërë gazetarit Parim Olluri nga Policia e Kosovës.

AGK-ja e ka quajtur këtë ftesë të policisë si skandaloze.

“Ftesa që i është bërë Parim Ollurit, drejtorit ekzekutiv të Portalit Insajder, nga Policia e Kosovës, konkretisht Stacioni Policor “QENDRA” në Prishtinë, për t’u paraqitur ose në të kundërtën do të arrestohet, për AGK është e papranueshme”, thuhet në reagim.

AGK-ja ka deklaruar se shkrimet në media mund të konsiderohen shpifje vetëm sipas Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes.

“Sipas një postimi të bërë nga Olluri në rrjetin social Facebook, kjo ka të bëjë me një shkrim të publikuar nga ai për Gani Gecin. Shkrimet në media, të cilat për individ apo institucione të caktuara mund të konsiderohen shpifje, nuk mund të trajtohen ndryshe, vetëm sipas Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes (Nr. 02/L-65)”.

AGK-ja thotë se urdhri policor i tejkalon kompetencat e institucioni publik siç është policia.

“Urdhri policor për gazetarin Parim Olluri është një masë ekstreme e veprimit të një institucioni publik i cili i tejkalon kompetencat dhe mandatin e vet ligjor. Andaj, AGK kërkon nga Policia e Kosovës të tërheq ftesën për paraqitje në stacion policor, si dhe sqarim publik nga Drejtori i Përgjithshëm për arsyet pse ka ardhur deri në këtë situatë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat