Qortohet në fund të mandatit, si e shkeli Hoxha marrëveshjen Qeveri – BE për skemën Young Cell

Aktuale

Qortohet në fund të mandatit, si e shkeli Hoxha marrëveshjen Qeveri – BE për skemën Young Cell

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 17:33
Dhurata Hoxha

Ministria e Integrimit Evropian, në krye me Dhurata Hoxhën, tani ministre në detyrë, jo rrallëherë u bë cak i akuzave të shumta, sidomos për kontratat milionëshe të lobimit. Kësaj here, reagime nga BE-ja e shoqëria civile, kjo ministri mori për një konkurs të jashtëm për punësimin e pesë personave si shërbyes civilë të kësaj Ministrie.

Ministria e Integrimit Evropian ka shpallur konkurs të jashtëm për punësimin e pesë personave në shërbimin civil të kësaj Ministrie. Stafi civil i kishte kërkuar ministres në largim të Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, që të mos hapin konkurs, derisa vetëm pak ditë më pas, u bë shpallja e konkursit në kundërshtim me obligimet e Qeverisë ndaj BE-së, për zbatimin e projektit të Skemës së profesionistëve të rinj.

Shërbyesit civilë nga pesë departamentet e Ministrisë së Integrimit, kanë kërkuar që, siç e parasheh marrëveshja, të punësohen studentët që janë shkolluar përmes programit Skema e profesionistëve të rinj, apo “Young Cell Scheme”. Dhurata Hoxha u ishte drejtuar tash kryeministrit në largim, zëvendëskryeministrave dhe ministrave, duke u kërkuar që të mos shpallin konkurs, por që të kontaktojnë me Ministrinë e Integrimit. E njëjta vetëm një ditë më pas e kishte shpallur vetë konkursin, edhe pse ju kishte kërkuar ministrave që të mos e bënin një gjë të tillë.

Lidhur me këtë kishte reaguar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, kishte shprehur shqetësime të ashpra për paralajmërimin e hapjes së konkursit të jashtëm.

Përmes një letre drejtuar ministres në largim Dhurata Hoxha, Zyra e BE-së ia ka kujtuar asaj obligimet që ka Ministria, e cila duhet t’i punësojë bursistët në shërbimin civil. Mirëpo, as ky reagim i BE-së nuk u mor parasysh nga ministrja në largim, Dhurata Hoxha.

Kjo ngriti reagime të shumta në vend, derisa e fundit vendosi të flasë vetë ministrja në largim.

Përmes Facebook-ut, Dhurata Hoxha, ka shkruar se ka marrë me shqetësim lajmin e se thotë që reagimet rreth punësimeve kanë qenë të pasakta.

“Me shqetësim kam marrë lajmin dhe reagimin e pasaktë rreth punësimit në Ministri të Integrimit Evropian, në veçanti rreth skemës Young Cell.

Që nga dita e parë e mandatit, këtë skemë, kuadrin e shkolluar nga kjo skemë, e kam trajtuar me prioritet. Përkushtimi im ka qenë i lidhur edhe me detyrimet e deriatëhershme, por edhe me promovimin e këtij programi.

Me insistimin tim, punësimi i bursistëve të skemës Young Cell, vitin e shkuar është realizuar 100%.

Për sivjet, kanë qenë dhe janë synimet e njëjta. Aktualisht, 7 vende janë të rezervuara për bursistët e skemës Young Cell”, ka shkruar Hoxha, derisa, thotë se është e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjeve me BE-në edhe skemën Young Cell.

Të tjerat, sipas Hoxhës, janë fushatë në kohë të zgjedhjeve.

Për këtë çështje ka larguar edhe Ambasadori në largim i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, derisa, ai ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e ministres Dhurata Hoxha, për shpalljen e pesë pozitave për punësim  në Ministrinë e Integrimit Evropian.

O’Connell ka thënë se, Kosova ka nevojë që administrata publike e saj të ketë stafin më profesional të mundshëm e se vendimi i Ministrisë së Integrimit Evropian për të shpallur pesë pozita me konkurs të jashtëm është në kundërshtim të drejtpërdrejt me vet zotimin e Kosovës.

“Skema e Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme) e financuar nga Bashkimi Evropian për vite me radhë i jep Kosovës mundësi të përfitojë nga talenti dhe aftësitë e rinisë së saj. Në kuadër të kësaj Skeme, Kosova ka obligim të mos bëjë rekrutime të jashtme në shërbimin civil pa akomoduar gjithë bursistët e Skemës së Profesionistëve të Rinj. Vendimi i Ministrisë së Integrimit Evropian për të shpallur pesë pozita me konkurs të jashtëm është në kundërshtim të drejtpërdrejt me vet zotimin e Kosovës”, ka shkruar O’Connell në profilin e tij zyrtar në Facebook.

O’Connell gjithashtu ka ironizuar me stafin e Ministrisë së Integrimit Evropian, duke thënë se ata duhet përgëzuar  për “guximin” e treguar karshi ligjeve ndërkombëtare.

“Stafi i Ministrisë së Integrimit Evropian që kundërshton këtë shkelje duhet të përgëzohet për guximin dhe përkushtimin ndaj ligjit dhe detyrimeve ndërkombëtare, dhe jo të ndëshkohet me vërejtje. Kosova ka nevojë për shërbyes të tillë civil që rreshtohen në anën e së drejtës përballë ndikimeve nga politika. Ata janë heronjtë e ditëve të sotme”, vijon shkrimi i O’Connell.

Bursa e BE-së për studim të nivelit MASTER në universitetet Evropian, apo më e njohur si Skema e Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme – YCS) është ndër projekte më të suksesshme të BE-së në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

Disa organizata të shoqërisë civile, mbështesin fuqimisht kërkesat e shërbimit civil të MIE-së dhe kërkojnë nga, siç shprehen ata, ministrja në dorëheqje Dhurata Hoxha, anulimin e menjëhershëm të konkurseve publike në MIE, punësimin e bursistëve nga bursa YCS, si dhe anulimin e menjëhershëm të çfarëdo mase të kundërligjshme ndaj shërbimit civil të MIE-së.

“Deri më sot, 364 të rinjtë kanë pasur mundësi të studiojnë jashtë vendit dhe të kthehen dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një Kosove më të mirë. Sot bursistët e kësaj skeme mund të gjenden në mesin e shërbimit civil dhe diplomatik, akademi, shoqëri civile, biznese, media dhe parti politike. Secili nga ta ofron kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e të ardhmes së Kosovës. Përderisa BE-ja mbulon të gjitha shpenzimet e bursistëve, është obligim i institucioneve të Kosovës të sigurojnë punësimin e tyre në administratën publike. Në këtë formë, bursa kontribuon në ndërtimin e një administrate të pavarur, me integritet dhe profesionale”, thuhet në reagim.

Në këtë drejtim, shoqëria civile shpreh shqetësimin e thellë ndaj “tentativës së Ministres në dorëheqje të integrimit Evropian, znj. Dhurata Hoxha, për të politizuar institucionin e MIE-së duke refuzuar punësimin e bursistëve të shkolluar në universitetet prestigjioze Evropiane, dhe në vend të saj të bëjë punësime publike mbi baza partiake”.

“Këto veprime të Ministres në dorëheqje Hoxha janë të kundërligjshme dhe përbejnë shkelje flagrante të marrëveshjeve ndërkombëtare, respektivisht Marrëveshjes Financiare për Ratifikimin e IPA-së 2016. Vendimet e kundërligjshme të Ministres në dorëheqje Hoxha rrezikojnë anulimin e bursave të parapara për vitet në vijim që do financojnë shkollimin jashtë vendit të qindra të rinjve kosovar. Po ashtu, dënojmë marrjen e masave të kundërligjshme dhe kërcënimet ndaj shërbimit civil të MIE-së”, thuhet tutje.

Në mungesë të veprimit nga ana e Ministres në dorëheqje, Dhurata Hoxha, shoqëria civile fton ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj të ndërhyjë në kthimin e ligjshmërisë brenda Ministrisë së Integrimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat