Këto janë rastet kur shtetasit e Kosovës mund ta fitojnë shtetësinë e Shqipërisë - Bota Sot
Këto janë rastet kur shtetasit e Kosovës mund ta fitojnë shtetësinë e Shqipërisë

Aktuale

Këto janë rastet kur shtetasit e Kosovës mund ta fitojnë shtetësinë e Shqipërisë

Më: 10 gusht 2019 Në ora: 13:20
Ilustrim

Projektligji i ri “Për Shtetësinë” i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 31 korrik, pritet së shpejti t’i dorëzohet Parlamentit të Shqipërisë. I njëjti parasheh fitimin e shtetësisë me origjinë, ku të gjithë shqiptarët të lindur në shtete të tjera, por që arrijnë të vërtetojnë origjinën e tyre, do të mund të marrin shtetësinë e Shqipërisë.

Derisa qytetarët e Republikës së Kosovës u përjashtuan nga marrja e shtetësisë shqiptare me një vendim të vitit 2013, sipas nenit 6 të projektligjit të ri “Për Shtetësinë”, krijohet mundësi që të gjithë shqiptarët, edhe të Kosovës, që arrijnë të vërtetojnë origjinën e tyre deri në tre shkallë, të mund të marrin pasaportën e Shqipërisë, pasi vendimi i 2013-s do të shfuqizohet me projektligjin e ri.

Sylë Ukshini, ambasador i Kosovës në Shqipëri, në një bisedë për KosovaPress, sqaron se në cilat raste mund të fitohet shtetësia e Shqipërisë, sipas projektligjit të ri. Projektligji i ri që pritet t’i dorëzohet Parlamentit të Shqipërisë, ka ndryshime thelbësore siç është neni 6, ku parashihet fitimi i shtetësisë me origjinë.

Megjithatë, Ukshini thotë se nuk duhet të ketë pritje të mëdha për këtë projektligj, meqë i njëjti nuk parasheh shtetësi për çdo shqiptar që jeton jashtë territorit shqiptar.

Por që sipas tij, ka disa ndryshime pozitive nga ligji i deritanishëm dhe nëse kalon në shtator atëherë përfitojnë grupe të caktuara. Ai tregon se në projektligj është futur edhe një koncept tjetër, që i takon lidhjes me territorin, pra fëmijët e lindur në territorin e Shqipërisë, por me prindër që nuk njihen apo që nuk kanë shtetësi shqiptare, do përfitojnë shtetësinë shqiptare.

Me projektligjin e ri, autoritetet shqiptare kanë parashikuar se një peroni i hiqet shtetësia kur vërtetohet ai është pjesë e grupeve kriminale ose terroriste. Gjithashtu, projektligji i ri parasheh që një i huaj, i martuar me shtetas shqiptarë, që provon se ky shtetas ka qëndruar më shumë se një vit në territorin shqiptar, edhe ky shtetas merr pasaportën shqiptare. “Pra, çdo kosovar që është i martuar me një shtetase të Shqipërisë që mund të dokumentojë se ka jetuar më shumë se një vit në Shqipëri ka të drejtë të aplikojë me shtetësi shqiptare”, thotë Ukshini.

Projektligji parashikon dhe rregullon fitimin e shtetësisë me natyralizim, si rast të veçantë, në rastet kur Republika e Shqipërisë ka një interes ekonomik, shkencor, kulturor dhe sportiv, si dhe kombëtar, duke autorizuar rregullimin me akt nënligjor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat