IKD kërkon respektimin e ligjit: Të gjitha seancat gjyqësore të jenë të hapura

Aktuale

IKD kërkon respektimin e ligjit: Të gjitha seancat gjyqësore të jenë të hapura

Më: 10 gusht 2019 Në ora: 13:26
Instituti i Kosovës për Drejtësi

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka evidentuar raste të mbylljes së kundërligjshme, dhe arbitrare të seancave të caktuara gjyqësore, ani pse informimi i tyre ishte i rëndësisë së madhe për publikun.

Pas një monitorimi sistematik të seancave gjyqësore në fushën penale, ky institut ka prezantuar gjetjet për mbyllje të kundërligjshme të seancave, dhe rekomandon gjyqtarët që në asnjë rast të mos përjashtojnë publikun, mediat dhe shoqërinë civile nga seancat pa marrë një aktvendim të shkruar dhe arsyetuar mirë.

Sipas IKD-së, sa i përket sistemit gjyqësor, mostransparenca më e madhe paraqitet në rastet kur publiku përjashtohet nga përcjellja e seancave gjyqësore të cilat sipas ligjit janë të hapura, dhe për të cilat publiku ka të drejtë të informohet.

Në një konferencë për media, ku IKD prezantoi raportin “Mbyllja e kundërligjshme dhe arbitrare e seancave gjyqësore për publikun në çështjet penale”, Betim Musliu tha se kanë vërejtur një subjektivizëm nga gjyqtarët në raste të caktuara, por që nuk është fenomen, meqë shumë prej seancave janë të hapura.

Musliu: Kur bëhet fjalë për disa profile, gjyqtarët dinë të jenë selektiv

“Por në raste të caktuara siç janë përfshirë në këtë raport, gjykatësit dinë të jenë selektiv dhe dinë ta mbyllin syrin për persona të caktuar. Kanë qenë disa kërkesa banale të pakuptueshme për ne kur na është thënë në një rast të caktuar, që ka pasur profile të ndryshme, që kanë pasur rëndësi në jetën tonë publike, që ndaj tyre mos të bëhet publikime të merave dhe mbiemrave. Pse një qytetar është më pak i barabartë sa cilido prej tyre, kur një rrethanë e tillë nuk parashihet në kushtetutë dhe ligj, andaj ka raste kur vërtetë profilet e larta, me ndikim në shoqëri, trajtohen si më të barabartë me të gjithë ne”, tha ai.

Në këtë konferencë u numëruan disa mbyllje të kundërligjshme të seancave publike, ku ndër të tjerë u përmend rasti i vitit 2016 i Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila kishte mbyllur tërësisht gjykimin ku ishte kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj dhe tre të akuzuar të tjerë për vepra penale të korrupsionit.

Gjithashtu u tha se në të njëjtin vit Gjykata Themelore në Prishtinë kishte mbyllur për publikun atë që njihet si rasti më i madh nga paslufta, “Stenta”, me arsyetimin e mungesës së hapësirës së mjaftueshme.

E përveç këtyre, sipas raportit të IKD-së ka edhe një sërë rastesh të tjera kur gjyqtarët, në mënyrë arbitrare, përjashtojnë publikun dhe mediat, duke urdhëruar vetëm gojarisht të largohen, pa lëshuar aktvendim me shkrim, ashtu siç kërkohet nga dispozitat e KPPRK-së.

Gëzim Shala nga IKD tha se hulumtimin e kanë ndarë në disa kategori, në mbylljen e kundërligjshme të seancave gjyqësore dhe mbylljen arbitrare të seancave gjyqësore, ku përjashtohet publikun dhe mediat pa nxjerr asnjë aktvendim.

Shala: Gjykatat pa aktvendim të veçantë për mbylljen e seancave

“Ajo çka kemi parë ne gjatë monitorimit sistematik kemi parë një laramani brenda vet sistemit gjyqësor, përkatësisht disa gjykata seancat dëgjimore për shqyrtimi ne kërkesave të sigurisë, paraburgimit, arrestit shtëpiak, dhe të tjera i mbajnë të mbyllura, ndërsa disa të tjera i mbajnë të hapura, dhe asnjë rast për mbylljen dhe hapjen e këtyre seancave nuk kemi një aktvendim të veçantë”, tha ai.

E Justina Frrokaj tha se për IKD-në është shqetësuese mungesa e transparencës nga gjykatat.

Frrokaj: Mungesa e transparencës nga gjykatat, shqetësim për IKD-në

“Mungesa e transparencës nga gjykatat përben një shqetësim të madh për IKD-në, po ashtu edhe për publikun e gjerë. Edhe pse krerët e sistemit të drejtësisë vazhdojnë të proklamojnë transparencën dhe llogaridhënien e plot ndaj publikut, mediave dhe shoqërisë civile, në praktikë është dëshmuar e kundërta. Po ashtu edhe pas reagimeve të shumta të hulumtuesve dhe monitoruesve tanë, kryetarët e gjykatave dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk kanë ndërmarrë asnjë masë korrekte për zgjidhjen e këtyre problemeve”, tha ajo.

Instituti i Kosovës për drejtësi rekomandon gjyqtarët të shqyrtojnë vendimet e tyre për mbylljen e seancave. Gjithashtu, thotë që gjyqtarët duhet të trajnohen për të kuptuar drejt qëllimin për mbajtjen publike te seancave gjyqësore.

IKD rekomandon që vendimet për mbyllje të seancave të jenë të arsyetuara konform kërkesave ligjore dhe standardeve të përcaktuara nga GjEDNj, dhe që gjyqtarët në asnjë rast të mos përjashtojnë publikun, mediat dhe shoqërinë civile nga seancat pa marrë një aktvendim të shkruar dhe arsyetuar mirë.

IKD kujton se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut përcakton që gjykimi duhet të jetë publik, por thotë se neni 6 e i KEDNj përcakton që “prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjesë të tij, në interes të moralit, të rendit publik, ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces, ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat