Qeveria serbe miraton Strategjinë e Sigurisë Kombëtare: Objektiv, ruajtja e Kosovës brenda kufijve të Serbisë

Aktuale

Qeveria serbe miraton Strategjinë e Sigurisë Kombëtare: Objektiv, ruajtja e Kosovës brenda kufijve të Serbisë

Më: 10 gusht 2019 Në ora: 21:17
Aleksandar Vuçiq

“Një agresion i armatosur kundër Serbisë në periudhën e ardhshme ka pak gjasa të ndodhë, por nuk mund të përjashtohet plotësisht. Pavarësia e shpallur ‘në mënyrë të njëanshme’ e Kosovës është e papranueshme për Serbinë, sepse kërcënon vlerat dhe interesat e saj kombëtare”. Këto janë pjesët më të rëndësishme të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare dhe Strategjisë së Mbrojtjes, të miratuar nga qeveria serbe të enjten, të cila do të paraqitet në Kuvendin e Serbisë.

Në Qeverinë e Serbisë, siç shkruan gazeta serbe ‘Vecernje Novosti”, iu dha drita jeshile dy dokumenteve më të rëndësishëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat do të jenë bazë për miratimin e të gjitha rregulloreve dhe akteve të tjera nënligjore në dekadën e ardhshme.

“Dispozita për neutralitetin e shpallur ushtarak është ndryshimi më domethënës në strategjitë e miratuara, të cilat, sikur edhe të mëparshmet, mbrojnë qëndrimin se ‘shkëputja e kundërligjshme e Kosovës’ është rreziku më i madh i sigurisë për Serbinë, si dhe për vendet e rajonit. Neutraliteti u shpall në vitin 2007, por u hoq nga dokumentet e miratuara dy vjet më vonë”, shkruan gazeta serbe, duke u thirrur në strategji.

Qeveria serbe sqaron se “Strategjitë e sigurisë kombëtare dhe të mbrojtjes kanë ndryshuar për shkak të ndryshimeve në rrethinë dhe në botë, gjë që gjithashtu kërkon rregullimin e politikës sonë të sigurisë”.

“Janë përcaktuar interesat themelore kombëtare të shtetit dhe kështu u sigurua mbrojtja dhe siguria e të gjithë qytetarëve të saj”, thonë në Qeverinë serbe.

Shteti ka vendosur katër qëllime kryesore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë: mbrojtje efektive, ruajtjen e Kosovës brenda Serbisë, forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare dhe parandalimin e veprimit separatist.

“Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme ‘të krahinës së saj jugore’, por në interes të stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve më të mira të mundshme serbo-shqiptare, ajo do të vazhdojë dialogun me institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë derisa në arritjen e një marrëveshje afatgjatë e qëndrueshme dhe reciprokisht e pranueshme”, thuhet në draftin e këtij dokumenti.

Drafti i këtyre dokumenteve afirmon kërkesën e Serbisë për një prani të pandërprerë të KFOR-it dhe kundërshton ndryshimin e mandatit dhe shndërrimin e formacioneve të njohura si “Forca e Sigurisë së Kosovës” në Ushtri të Kosovës.

Serbia nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e NATO-s

“Më këtë do të destabilizohej situata në provincë [Kosovë] dhe do të rrënohej siguria në rajon”, thuhet në draftin e dokumentit.

Dokumentet strategjike parashikojnë bashkëpunim me Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), por edhe në përputhje me politikën e neutralitetit ushtarak të Serbisë vazhdim të bashkëpunimit me NATO-n, përmes programit Partneritet për Paqe.

“Serbia nuk ka ndërmend të bëhet anëtare e NATO-s ose ndonjë aleance tjetër ushtarako-politike, por dëshiron të avancojë besimin me të gjithë partnerët”, thuhet në formulimin nga drafti i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat