S’ka kush i sanksionon keqpërdoruesit e të dhënave personale

Aktuale

S’ka kush i sanksionon keqpërdoruesit e të dhënave personale

Më: 11 gusht 2019 Në ora: 22:25
Ilustrim

Në muajin shkurt të këtij viti, Policia e Kosovës publikoi një video sensibilizuese për sjellje në komunikacion në të cilën kishte xhiruar momentet kur qytetarët dënoheshin për shkeljet që ata kryenin në trafik.

Në video, përveç që shihen numrat e targave të veturave, shihen vendlindja dhe numrat identifikues të letërnjoftimeve të ngasëseve.

Policia bëri shkelje të ligjit duke publikuar të dhënat personale të ngasësve.

Janë bërë më shumë se tri vite prej se Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk ka shqiptuar asnjë dënim për institucionet private apo publike që kanë shkelur privatësinë apo kanë keqpërdorur të dhënat personale të qytetarëve.

Problemet me të cilat është përballur Agjencia dhe zvarritjet politike, sipas zyrtarëve të këtij institucioni i kanë hapur rrugë keqpërdorimit të të dhënave personale të qytetarëve për qëllime komerciale, thotë Jeton Arifi, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDP).

“Viteve të fundit Agjencia nuk ka mundur të zhvillojë inspektime dhe të gjobisë drejtpërdrejt tash me ligjin e ri. Kështu, këta shkelës, i ka inkurajuar që të vazhdojnë avazin e vjetër duke bërë shkelje të qëllimshme, duke mos përfillur dispozitat e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale sepse nuk kanë qenë të ndëshkuar përveç disa rasteve që Agjencia gjatë pesë vjetëshit të parë kishte iniciuar përmes Gjykatës Themelore padi civile dhe në ndërkohë disa prej tyre kanë përfunduar në Gjykatë apo disa operatorë ekonomikë janë gjobitur. Mirëpo, viteve të fundit ka pasur ngecje në këtë proces”, tha Arifi.

Në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e pranojnë faktin se sidomos sektori privat, aktualisht është duke zhvilluar marketing të ashpër duke përdorur jashtëligjshëm të dhënat personale të qytetarëve.

“Derisa nuk po ndëshkohen, ata po e shfrytëzojnë rastin për të bërë marketing të drejtpërdrejt, agresiv i cili përbën shkelje sepse bëhet pa pëlqimin e subjekteve, palëve. Kjo është vetëm një segment i veçantë sepse ka dhe shkelje të natyrave të ndryshme, pra ne po ngecim për shkak të zvarritjeve të proceseve politike”, tha Arifi në një bisedë për Radio Evropa e Lirë.

Edhe institucionet publike janë shkelës të shpeshtë të të dhënave personale të qytetarëve.

Në rast të keqpërdorimit të të dhënave të tyre personale, qytetarët nuk kanë adresë se ku të ankohen, thotë Flutura Kusari, juriste e të Drejtës së Medias.

“Agjencia ka dështuar që të mbrojë të dhënat tona personale ndonëse ka kohë që ekziston. Një nga arsyet kryesore përse të dhënat tona nuk janë mbrojtur siç duhet është për shkak se në postet kyçe në agjenci kanë qenë njerëz të cilët ato poste i kanë marrë për shkak të mbështetjes partiake dhe jo për shkak të meritave apo profesionalizmit të tyre”, tha Kusari.

Kusari thotë se Agjencia, as në të kaluarën e as tani nuk ka treguar vullnet e as profesionalizëm në procesin e mbrojtjes të të dhënave personale të qytetarëve.

“Agjencia ka kohë që nuk është funksionale për shkak se partitë politike fillimisht e kanë vonuar votimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe tash janë duke e zvarritur edhe votimin e Komisionarit për Informim dhe Privatësi. Si rezultat i bllokimit të punës së agjencisë, qytetarët e Kosovës nuk e kanë një adresë se ku mund të ankohen për shkelje të të dhënave personale. Për shembull nëse unë e pranoj një SMS në telefon nga një kompani së cilës nuk ia kam dhënë autorizimin që të më dërgojë reklama përmes SMS-it, ajo, me automatizëm është shkelje e të dhënave personale por fatkeqësia është se nuk kam asnjë adrese së ku mund të bëjë ankesë kundër asaj kompanie”, tha Kusari.

Shkelësit më të mëdhenj të privatësisë së qytetarëve, sipas njohësve të kësaj fushe janë bankat, rrjetet e ndryshme të dyqaneve, marketet, spitalet private si dhe operatorë të ndryshëm të shërbimeve telekomunikuese.

Funksionimi normal i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është bërë i pamundur edhe për shkak të ndryshimeve ligjore, porse edhe si pasojë e zvarritjes së Komisarit për Informim dhe Privatësi.

Nuk dihet ende nëse Kuvendi i Kosovës do të arrijë që të votojë për Komisarin për Informim dhe Privatësi, para shpërndarjes së Kuvendit që pritet të ndodhë me 22 gusht.

Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës kishte rekomanduar kandidatët Krenare Sogojeva Dërmaku, Agron Behrami dhe Enver Bujari për Komisioner për Informim dhe Privatësi.

Ekspertët e angazhuar nga Ambasadës Britanike në Prishtinë që janë të përfshirë në këtë proces, pas vlerësimit të kandidatëve kanë rekomanduar që Komisionere per Informim dhe Privatësi të përzgjidhet Krenare Sogojeva-Dermaku./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat