Shteti ‘nuk e mendoi mirë’ kthimin e 110 shqiptarëve nga Siria

Aktuale

Shteti ‘nuk e mendoi mirë’ kthimin e 110 shqiptarëve nga Siria

Më: 12 gusht 2019 Në ora: 15:31
Foto ilustrim

Muaj më parë mbi 100 kosovarë u riatdhesuan nga zona e konfliktit në Siri, shumica prej të cilëve gra e fëmijë. Që nga ajo kohë, gratë gjenden në arrest shtëpiak, ndërsa janë 20 raste të cilat kanë kërkuar ndihmë sociale. Disa prej fëmijëve janë pjesë e skemës së mbrojtjes së strehimit familjarë, por ky strehim del të mos jetë i përhershëm, për çka nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se është mirë të ketë strehimore. Për fëmijët e kthyer nga Siria, po garantohet që nga shtatori të fillojnë mësimin, ndërkohë nuk dihet se a ka pasur parapërgatitje gjatë këtyre ditëve.

Nga 110 kosovarë të cilët arriti shteti i Kosovës në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’i kthej në vend,  në mesin e tyre janë 74 fëmijë, të cilët kanë qëndruar në vatra të rrezikshme. Disa prej këtyre fëmijëve të kthyer nga Siria, janë edhe pa përkujdesje prindërore.

Derisa një gjë e tillë është parë si “storie suksesi” për autoritetet e vendit, në këndvështrimin social, kthimi i tyre po shihet si jo i organizuar mirë.

Vebi Mujku, njohës i çështjeve sociale thotë për KosovaPress se qëndrimi i këtyre personave, për vetëm 72 orë në Qendrën e Azil-Kërkuesve në Vranidoll, nuk ka qenë profesionale, derisa shton se para se të ktheheshin nga vatrat e luftës, do të duhej të koordinohet strehimi i tyre.

Mujku: Ka qenë një situatë e rëndë

“ Ka qenë një situatë po mendoj relativisht e rëndë, po besoj situata ende vazhdon të jetë e tillë, sepse të kthehen një numër aq i madh i grave, dhe fëmijëve nga zona e rrezikuar e luftës, dhe të mbahen në një kamp apo në një strehimore, ta quajmë ashtu për 72 orë dhe të lirohen, nuk ka qenë shumë profesionale. Mendoj prapë që nuk është i nivelit të cilin e kishim dëshiruar të gjithë. Mendoj se të gjitha familjet që janë kthyer, posaçërisht ato nënat të cilat për një kohë të gjatë nuk kanë qenë në Kosovë, janë duke u përballur me kushte të rënda, sepse ata fëmijë kanë qëndruar një kohë të gjatë në kampe pa higjienë personale, pa kushte shëndetësore, pa shërbime adekuate edhe sociale por edhe psikologjike. Sepse të gjithë ata fëmijë që janë kthyer nga zonat e luftës kanë parë skene të ndryshme”, thotë ai.

Një numër i madh i këtyre fëmijëve të cilët janë ri-atdhesuar në Kosovë, thotë se kanë lindur në këto zona të rrezikshme të luftës, për çka sipas tij, duhet të punohet shumë në ri-integrimin e tyre.

Për njohësin e çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi të ri-atdhesuarit mund të paraqesin edhe rrezik për Kosovën.

Ibishi: Është dashur më herët të fillohet të mendohet për çështje të rikthimit

“E kemi rrezik edhe kthimin transit të pjesëtarëve të grupeve terroriste të kalojnë në Kosovë, në vend ku nuk jemi pjesë e Interpol-it, nuk kemi aktndjekje për këta persona, ata mund lehtësisht të kalojnë edhe të jenë të rrezikshëm për Kosovën. Mirëpo, është dashur që më herët të fillohet të mendohet për çështje të rikthimit edhe pjesëtarëve të grupeve terroriste por edhe familjarët e tyre, të grave, fëmijëve. Edhe aspekti i riintegrimit, rehabilitimit, rikthimit të tyre që do të merr kohë, por normalisht edhe procedura të tjera gjyqësore. Sepse ata janë involvuar edhe në akte terroriste atje...”, thotë ai.

Nga 74 fëmijë të kthyer në Kosovë, shtatë prej tyre janë pa përkujdesje prindërore.

Mentor Morina, drejtor i Departamentit për Çështje Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se vetëm 20 raste kanë kërkuar ndihmë sociale, disa fëmijë thotë se kanë probleme edhe me çështjen e dokumentacioneve.

Morina: Janë shtatë fëmijë pa përkujdesje prindërore

“ Në bazë të të dhënave që kemi nga Qendrat për Punë Sociale, ne i kemi diku rreth 20 raste që janë trajtuar dhe kanë marrë shërbimet nga Qendra për Punë Sociale, ku shumica prej tyre janë fëmijë, pra 17 prej tyre janë fëmijë dhe tri prej tyre janë femra. Sa i përket shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve, nga 17 fëmijë që janë kthyer kanë marrë shërbime të ndryshme, shtatë prej tyre janë fëmijë pa kujdes prindëror të cilët kanë marrë shërbime nga qendra për Punë Sociale. Pesë prej tyre u është caktuar kujdestari dhe janë pjesë e skemës së mbrojtjes së strehimit familjarë, ndërsa tre të tjerë kanë probleme në dokumentacione të nevojshme në skemat e mbrojtjes të strehimit familjarë ose formave të tjera të mbrojtjes”, tregon ai.

Por, strehimi i tyre në familjet strehuese, del të mos jetë afatgjatë, për këtë Morina thotë se do të duhej të kishte strehimore.

Morina: Duhet të kemi strehimore

“Në qendrat ne nuk kemi të strehuar persona, gjitha rastet janë të strehuara në familje strehuese, janë familje të cilat i kanë fëmijët realisht janë strehuese, të cilat përzgjidhen nga  Qendra për Punë Sociale, por këtë rast kemi të bëjmë me familje të cilat fëmijët i kanë të afërm, dhe kujdesen. Por, ne bëjmë pagesën si Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale në formën e strehimit familjarë. Ne po mendojmë që duhet të kemi një strehimore”, thekson Morina.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari thotë se shteti obligohet për mirëqenien e fëmijëve,  pavarësisht situatës buxhetore.

Jashari: Asnjë standardë ndërkombëtarë nuk përjashton përgjegjësinë e shtetit (Deklarata është në prill)

“Asnjë standardë ndërkombëtar deri më tani nuk ka përjashtuar përgjegjësinë e shtetit, pse shteti mund të ketë pasur probleme me buxhetin, apo për shkak hapësirave të infrastrukturës. Konventa vë obligim mbi shtetin për të siguruar edhe për të garantuar, pse ne një mënyrë bëjmë degradim të këtij standardi duke thënë që nuk kemi buxhet, nuk e di në cilën konventë apo standard ndërkombëtar dikush do të mund të ketë gjetur një gjë të tillë, e cila përjashton përgjegjësinë e shtetit, për shkak të mungesës së buxhetit”, thekson Jashari.

Konsideron se shteti bën shkeljet më të mëdha ligjore nëse i lë pa përkujdesje këta fëmijë të kthyer nga Siria.

Derisa sfida më e madhe po konsiderohet ri-integrimi i fëmijëve,  ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi zotohet se të njëjtit në shtator do të integrohen në sistemin arsimor, ani pse nuk dihet se a janë bërë përgatitjet e duhura.

Bytyqi: E kemi mësimin shtesë që planifikohet për ta

 “E kemi mësimin shtesë që planifikohet për ta, jashtë orarit të shkollore të tyre.. është organizim i mësimit të veçantë, në mënyrë që të përgatitet për ta zënë moshën e fëmijëve, kjo bëhet me një grup të caktuar të nxënësve, të të rinjve që grumbullohen varësisht nga komunat se sa do t’i ketë komuna, që ne i kemi statistikat. Pra, do të jetë paralelisht një përgatitje që të jenë të barabartë me moshatarët e tyre... do të fillojmë edhe tani, ka fëmijë që edhe kanë filluar, por po punohet intensivisht në çdo hap që t’i përgatitim të gjithë fëmijët që edhe në shtator të jemi shumë aktiv në sistemin arsimor”, shprehet ai.

Për integrimin dhe ri-sistemimin e tyre po zotohet edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Tahiri: Jemi në nivel të detyrës

“ Angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës në ri-sistemimin e tyre dhe në integrimin e tyre në shoqërinë tonë është shumë i  madh. Qoftë në sistemimin  nëpër vende shtëpia që s’kanë pasur ku të strehohen kur janë kthyer, qoftë në angazhimin e mëtutjeshëm, apo në trajtimin e tyre që tashmë ka evidencë penale që kanë qenë të involvuar në luftën e Sirisë. Të gjitha institucionet tona, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, MPB, Prokurorinë dhe Policinë, janë në nivel të detyrës për trajtimin këta persona”, thotë Tahiri.

E, deputeti Rexhep Selimi thotë se të gjitha problemet nuk përfundojnë me kthimin e tyre nga Siria, pasi siç thotë ai, mund të ketë akoma të kthyer.

Sipas tij, janë edhe 100 shtetas të Kosovës, të cilët ndodhen në vatrat e luftës.

Selimi: Del të jetë një problem i madh

“ Ata kanë qenë në zona lufta, dhe janë përgjithësisht gra, që janë kthyer, shumë prej tyre janë gra të të cilave ua kanë vrarë burrat, apo fëmijë të cilëve ua kanë vrarë prindërit. Prandaj del të jetë një problem i madh. Problemi kryesor është rehabilitimi i tyre, pastaj edhe integrimi i tyre në shoqëri. Po del të jetë i dyanshëm ky problem, sepse po hezitojnë të integrohen, por edhe komuniteti po heziton t’i integrojë ata, del një sfidë për institucionet e Kosovës”, shprehet Selimi.

Ani pse kanë kaluar katër muaj prej kur 74 fëmijë dhe 32 gra janë rikthyer nga zonat e luftës, Prokuroria Speciale nuk ka arritur të specifikojë qartë se cila nga to është e përfshirë në akte terroriste.

KosovaPress ka provuar të bisedojë me to, por të njëjtat nuk dëshirojnë të flasin dhe janë udhëzuar edhe nga institucionet të mos e bëjnë këtë.

Derisa me shkrim, Fehmije Gashi, avokate e njërës prej grave të kthyerave nga zona e konfliktit, i ka thënë KosovaPress-it se gratë e kthyera nga Siria po trajtohen mirë nga shteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat