Lëvizja Vetëvendosje zyrtarizon koalicionin me LDK-në?

Aktuale

Lëvizja Vetëvendosje zyrtarizon koalicionin me LDK-në?

Nga: D.RR Më: 13 gusht 2019 Në ora: 16:57
Albin Kurti dhe Glauk Konjufca

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media, ka njoftuar se lideri i tyre, Albin Kurti, ka pasur një takim me ambasadorin e Sllovenisë, z. Bojan Bertoncelj.

Mirëpo ajo që bie në sy më shumë në komunikatë, është që Vetëvendosja publikisht e pranoi se qeveria e ardhshme do të udhëhiqet nga koalicioni LDK-VV.

Komunikata e plotë:

Sot, në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetari Kurti takoi ambasadorin e Sllovenisë, z. Bojan Bertoncelj. Në këtë takim ata diskutuan për marrëdhëniet e mira bilaterale midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, si dhe rreth situatës aktuale politike në Kosovë me theks te zgjedhjet e parakohshme që pritet të shpallen ditëve në vijim.

Kryetari Kurti e njoftoi Ambasadorin rreth bashkëpunimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! me Lidhjen Demokratike të Kosovës, si opozita e vërtetë e deritashme dhe si qeverisja e ardhshme e ndryshimit pozitiv. Të dy partitë kanë dorëzuar nënshkrimet e tyre për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe janë shprehur se janë të gatshme e të interesuara për zgjedhje. Populli pret luftim të korrupsionit, investime në ekonomi, punësim pa diskriminim, arsimim cilësor e shëndetësi efektive, si dhe hapa përmbajtësor në integrim evropian. Prandaj, duhen zgjedhje të reja për qeverisje të mirë.

Në fund të takimit, Kryetari i VETËVENDOSJE!-s dhe Ambasadori i Sllovenisë u dakorduan që të vazhdojnë komunikimin dhe takimet e rregullta mes dy palëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat