IPK-ja jep detaje për kallëzimet penale në rastin e shtetasve turq

Aktuale

IPK-ja jep detaje për kallëzimet penale në rastin e shtetasve turq

Më: 15 gusht 2019 Në ora: 16:38
Foto ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se kanë dërguar kallëzime penale për 22 zyrtarët e Policisë së Kosovës, të përfshirë në rastin e njohur te shtetasve turq.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve, lidhur me rastin dëbimit të shtetasve turq nga Republika e Kosovës për në Turqi,  bazuar në autorizimet ligjore dhe autorizimet nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës, kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe pas këtyre veprimeve kanë dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj 22 zyrtarëve të Policisë së Kosovës”, thuhet tutje.

Nga ky institucion nuk kanë dhënë detaje se për çfarë profile të policisë së Kosovës bëhet fjalë në këto kallëzime penale.

29 marsi i vitit të kaluar ishte edhe data kur dhunshëm për në Turqi u dëbuan gjashtë shtetas, përmes një operacioni të orkestruar mirë e të udhëhequr me direktiva nga lartë për AKI-në e Policinë e Kosovës. Më shumë se një vit më vonë, ka filluar ngritja e kallëzimeve penale. Mirëpo, për skandalin më të madh që nga paslufta nuk po ndiqen urdhërdhënësit por policët e Kosovës që vetëm zbatuan detyrat. Prokuroria nuk ka dhënë detaje se a priten kallëzime të reja penale.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se ka  pranuar kallëzime penale nga Inspektorati Policor i Kosovës për 22 zyrtarë të Policisë së Kosovës në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova para më shumë se një viti, në rastin e njohur si “Gylenistët”. Sipas Prokurorisë, kallëzimi penal është bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kallëzim penal nga IPK-ja ndaj 22 të pandehurve, ndërsa jemi duke intervistuar edhe të pandehur të tjerë në lidhje me ketë rast”, ka thënë zëdhënësi i kësaj prokurorie Ekrem Lutfiu. Ai ka shtuar se janë duke intervistuar edhe të pandehur të tjerë.

Por, se kush janë këta persona dhe a ka ndonjë aktakuzë që pritet të ngrihet për profilin e lartë të politikanëve, ose udhëheqësve të institucioneve nuk është bërë e ditur.

“Për momentin nuk kemi mundësi të japim të dhëna tjera pasi që jemi ende në fazën e hetimeve”, ka thënë Lutfiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat