Lipjanasi pranon para gjykatës se gjuajti me armë në fejesë të djalit, thotë se e bëri nga gëzimi

Aktuale

Lipjanasi pranon para gjykatës se gjuajti me armë në fejesë të djalit, thotë se e bëri nga gëzimi

Më: 16 gusht 2019 Në ora: 12:12
Foto ilustrim

Tre të akuzuarit për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, Heset, Alban dhe Arben Dragaqina, e kanë pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar që është mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Arbresha Shala, i akuzuari i parë Heset Dragaqina, ka deklaruar se e pranon fajësinë, duke shtuar se armën të cilën e ka përdorur ka qenë me gaz dhe të njëjtën e ka gjetur në mal.

Por, sipas tij, atë asnjëherë më parë nuk e ka përdorur, deri në ditën e fejesës së djalit të tij.

Ai ka thënë se nga gëzimi ka shtënë me armë, duke mos e ditur që është duke kryer vepër penale.

Fajësinë e kanë pranuar edhe i akuzuari i dytë dhe i tretë, Alban dhe Arben Dragaqina, të cilët kanë deklaruar se e pranojnë që kanë shtënë me armë në ditën kritike, mirëpo arma që e kanë përdorur ka qenë me gaz dhe sipas tyre, nuk ka paraqitur rrezik për askënd dhe të njëjtën e kanë përdorur për një festë familjare.

Prokurorja Shala, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve, pasi sipas saj, është bërë në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore.

Ajo në këtë seancë ka bërë edhe rikualifikimin e veprës penale nga ajo ku thuhet se “secili veç e veç ka kryer veprën “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365  par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së si dhe atë për të akuzuarin e parë, “mbajtje pronësi në kontroll apo posedim, të pa autorizuar të armëve”,  në atë “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375 par 1 të KPRK-së.

Gjykatësi i kësaj çështje Avdirrahman Gashi, me aktvendim e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 19 gusht 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 28 dhjetor 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit më 4 gusht 2016, në fshatin Bujan, Komuna e Lipjanit, në ahengun familjar në shtëpinë e tyre, ku ka pasur shumë persona, kanë shtënë me armë në ajër.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari i parë, Heset Dragaqina ka shtënë me armë dy herë në ajër dhe të akuzuarit e tjerë, Alban e Arben Drgaqina, kanë shtënë me armë nga njëherë në ajër, ku të gjithë kanë shtënë me armë me gazë të tipit “Taurus  – Kurtulus”, dhe në vendin e ngjarjes është gjetur një karikator, tre fishekë dhe një gëzhojë e kësaj arme, të cilat janë konfiskuar nga zyrtarët policor.

Sipas aktakuzës, ata akuzohen se secili veç e veç, e ka kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 365 par 1 lidhur me par 3 të KPRK-së, ku pas rikualifikimit, ata akuzohen për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Poashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Heset Dragaqina, nga data e pacaktuar e deri më 4 gusht 2016, në shtëpinë e tij, në fshatin Bujan, ka mbajtur në pronësi kontroll, në shkelje me ligjin e zbatueshëm mbi armët e tilla, ku në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një karikator, tre fishekë dhe një gëzhojë e kësaj arme të cilat janë gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë.

E sipas aktakuzës, i akuzuari i parë Heset Dragaqina po akuzohet se me këto veprime e ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi , kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat