Një dolli për mospajtimet!? Thaçi e Haradinaj lënë anash ndasitë në Rahovec

Aktuale

Një dolli për mospajtimet!? Thaçi e Haradinaj lënë anash ndasitë në Rahovec

Më: 16 gusht 2019 Në ora: 17:18
Thaçi, Meta e Haradinaj

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ashtu siç nuk e kanë fshehur edhe në deklarimet publike, dallojnë në qëndrimet e tyre rreth çështjeve të rëndësishme për vendin.

Kështu kanë pasur qëndrime të ndryshme për dialogun, taksën, ndryshimin e kufijve dhe temave të tjera, por duket se sot janë pajtuar për një gjë: qe vera e Rahovecit, e cila u shërbye në “Hardh Fest”, të shijon shumë.

Madje, ata u panë duke ngritur edhe dolli bashkë me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. Një shikim i shpejtë mes dy liderëve të vendit dhe një “gëzuar” ndër dhëmbë për të harruar qoftë edhe për një moment mospajtimet e tyre.

Përpos verës, kishte dhe ushqim për të ftuarit specialë të ditës së parë të “Hardh Fest”.

Për pak kohë edhe presidenti shqiptar Ilir Meta “u arratis” nga problemet dhe mospajtimet me kryeministrin e tij Edi Rama.

Në Shqipëri, së shpejti mund të krijohet një situatë e re pasi kryebashkiaku i zgjedhur i Shkodrës, Valdrin Pjetri, nuk pranoi të merrte detyrën pas akuzave për trafik droge, ndërsa në qytetin verior shqiptar duhet të organizohen zgjedhje të reja të cilat Meta si president duhet t’i dekretojë.

Por, Meta nuk i njeh zgjedhjet e 30 Qershorit, e për rrjedhojë as pasojat që kanë dalë nga ky proces. Ai ka një datë në mendje të cilën edhe e ka dekretuar, 13 tetorin, të cilën PS nuk e njeh.

Fli, verë e rrush, Thaçi e Haradinaj të buzëqeshur bashkë në një sofër

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj e presidenti Thaçi kohëve të fundit nuk është se i kanë pasur edhe shumë raportet e ngrohta mes vete.

Image

Shumë shpesh, ata përmes deklaratave për media e postimeve në Facebook, e kanë akuzuar njëri tjetrin për çështje të ndryshme, që më së shumti lidhen me dialogun me Serbinë e për taksën.

Ndonëse që një kohë të gjatë Thaçi e Haradinaj nuk janë parë bashkë në një vend, ata sot të dy ishin të ulur në një sofër në Rahovec.

Atje po mbahet festivali i njohur, “Hardh Fest”.

Madje, Haradinaj e Thaçi duken mjaft të afërt në një fotografi të postuar nga presidenti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat