Prezantohet partia e re në Kosovë, kërkojnë uljen e pragut zgjedhor në 1%

Aktuale

Prezantohet partia e re në Kosovë, kërkojnë uljen e pragut zgjedhor në 1%

Më: 16 gusht 2019 Në ora: 17:46
Prezantohet Partia Balliste

(E plotësuar) - Partia Balliste, si subjekti më i ri i cili iu shtua skenës politike vendore, ka mbajtur sot konferencën e parë për media. Të njëjtit kanë shpalosur programin e tyre qeverisës, duke u zotuar se do të punojnë për interesin e popullit.

Kryetari i kësaj partie, Pajazit Podrimçaku, tha se kanë pasur pengesa për regjistrimin e partisë për shkak të emrit. Ky i fundit tha se kanë strategjinë e tyre, të cilën synojnë ta realizojnë, në bazë edhe të normave, që siç tha ai, i kanë si parti e re.

Podrimçaku: Ne nuk kemi lajka, nuk luajmë me fjalën tonë

“Nuk luajmë me fjalën tonë, jemi të bindur që nuk luajmë. Ballistët nuk luajnë asnjëherë me fjalën e vet, kanë dhënë jetën për truall të Kosovës, për liri të këtij populli, të cilin nuk e ka gëzuar kurrë, mirëpo kanë qëndruar burra. Nuk kemi dëshirë me ju rrejt, ata që e premtojmë, vetëm vdekja që mundet me na ndërprerë, se do të mbajmë. Partia Balliste ka një strategji të vetën, të cilën shpreson jo, po shikon ta realizon, ajo është interesi i popullit tonë, është interesi i kombit tonë edhe i atdheut”, tha ai.

Podrimçaku mes tjerash tha se nuk dëshiron të përzihet me partitë e tjera, duke u zotuar se Partia Balliste është ndryshe.

Duke qenë se zgjedhjet e parakohshme janë afër, Podrimçaku deklaroi se nuk do të bëjnë koalicion më partitë e tjera. Ai tha se kushdo që dëshiron të bashkëpunojë me ta duhet të bëhet pjesë e Partisë Balliste.

E, Lulzim Ponosheci, sekretar politik, tha se kjo parti i takon spektrit të djathtë, ndërsa foli edhe për programin e tyre politik.

Ponoshevci: Kërkojmë që të zvogëlohet shkalla zgjedhore

“E konsiderojmë shkallën zgjedhore, e cila është shti prej partive të mëdha, jo drejtë. Tash është pesë për qind fitime të votave për me mujt me hy në Kuvend...Kërkojmë që me u zvogëlu shkalla zgjedhore me ardh 1 për qind qysh e ka caktu OSC në vitin 2000, e jo me qenë 5 për qind, për me i privilegju dy, tri parti të mëdha, që me bo qysh të dojnë në këtë vend, nuk është e drejtë”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar që të hiqen edhe vendet e rezervuara për pakicat, për çka e quajti edhe si politikë jo të mirë. Teksa ka përmendur Listën Serbe, ai tha se është një parti fashiste.

Mes tjerash tha se Partia Balliste kërkon që shumë çështje të zgjidhen me referendum, me qëllim që të respektohet vullneti i popullit. 

***

Subjekti politik i cili së fundmi iu shtua skenës politike kosovare, Partia Balliste sot mbajti konferencën e parë për media.

Kryetari i kësaj partie, Pajazit Podrimçaku, tha se kanë pasur pengesa për regjistrimin e partisë për shkak të emrit. Sidoqoftë, ai tha se Partia Balliste ka një strategji të cilën synon ta realizojë.

"Te ballistët lajka nuk ka, jemi të sinqertë për aq sa mundemi. Nuk luajmë me fjalën tonë. Ballistët nuk kanë luajtur kurrë me fjalën e vet. Nuk kemi qejf me ju rrejt. Partia Balliste ka një strategji të vetën dhe këqyr ta realizon, është interes i yni. Nuk kam gjë kundër partive tjera, mos na përzieni me partitë tjera", tha ai.

Duke qenë se zgjedhjet e parakohshme duken në horizont, Podrimçaku deklaroi se nuk do të bëjnë koalicion më partitë e tjera, ai tha se kushdo që dëshiron të bashkëpunojë me ta duhet të bëhet pjesë e Partisë Balliste.

Lulzim Ponosheci, sekretari politik, tha se kjo parti i takon spektrit të djathtë, ndërsa foli edhe për programin e tyre politik.

“Kemi disa kërkesa për përmirësim të sistemit politik të Kosovës. Kërkojmë që të zvogëlohet pragu i zgjedhor që është prej 5%, kërkojmë 1%. Kërkojmë të hiqen vendet e pakicave. Kuvendi po bllokohet nga lista serbe, ajo është parti fashiste. Kemi edhe një kërkesë, që të futet institucioni i referendumit për të zgjidhur shumë çështje në mënyrë që të respektohet vullneti i popullit", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat