Këto janë tri partitë që në Kuvend votuan pro emërimit të “Ftyrës”

Aktuale

Këto janë tri partitë që në Kuvend votuan pro emërimit të “Ftyrës”

Më: 17 gusht 2019 Në ora: 00:14
Naser Shala

Deputetët e tri partive të koalicionit qeverisës: Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, në shkurt të këtij viti votuan pro emërimit të Naser Shalës, drejtor të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronave.

Për të arritur votat që do ta çonin ish-eprorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye të AKKVP-së, partitë në pushtet siguruan edhe votat e deputetëve të minoriteteve.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, më 28 shkurt të këtij viti, me 50 votat e deputetëve të pozitës, Shala u emërua drejtor ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronave. Kundër-kandidatja e tij, Flire Kika, arriti të merrte vetëm 22 vota.

Votimi dhe ngjitja e Naser Shalës – të njohur me nofkën Ftyra -në krye të agjencisë shtetërore, u bë në kohën kur ambasadorët e ShBA-ve dhe Britanisë së Madhe e kontestonin propozimin e Shalës për këtë pozitë.

Madje, disa muaj pas emërimit të “Ftyrës” në AKKVP, ambasadorët Philipp Kosnett, i ShBA-ve dhe Ruairi O’Connell, i Britanisë së Madhe, dhanë dorëheqje nga Bordi i Agjencisë.

Shala për të njëjtin post kishte kandiduar edhe vitin e kaluar, por që nuk kishte arritur t’i merrte votat e mjaftueshme për të marrë drejtimin e Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronave.

Shala kishte qenë i akuzuar së bashku me Fatmir Limajn nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës në rastin “Kleçka”. Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij.

Ndërkaq, Gjykata Supreme e Kosovës përfundimisht në maj të vitit 2017 kishte vërtetuar pafajësinë e këtyre të akuzuarve.

Por emri i Shalës ishte përfshirë edhe në një rast tjetër. Emri i tij ishte përdorur nga Adem Grabovci për ta frikësuar atë kohë, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin.

Grabovci, i ishte afruar Jakup Krasniqit tek foltorja e Kuvendit dhe i kishte thënë “e thirri, ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”.

Insajderi kishte publikuar hulumtimin “Dosja e Shefave” ku aty ishte dëshmuar komunikimi mes Grabovcit dhe ‘Ftyrës”, pavarësisht se drejtori i ri për Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, kishte qenë në paraburgim.

Në bisedë telefonike, ish-shefi i PDK-së në Kuvend të Kosovës, i tregonte ‘fytyrës’ se me emrin e tij ia kishte përmendur Jakup Krasniqit. Sipas Grabovcit më pas, Krasniqi ishte dorëzuar.

“Jakupit, veç shkova i thash n’vesh, thash qy thash e thirri, e thirri ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”, tregonte Grabovci. “Edhe u dorëzu”.

“A t’ngoj bile”, e pyet Shala.

“Ngoji, meniherë, meniherë u tërhoq, derisa t’përmena ty”, thoshte Grabovci.

Naser Shala është i afërt me partitë që gjatë legjislaturës së fundit kanë udhëhequr me ekzekutivin e shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat