Ja kur vendosin AAK e PSD nëse do të ketë koalicion parazgjedhor mes tyre

Aktuale

Ja kur vendosin AAK e PSD nëse do të ketë koalicion parazgjedhor mes tyre

Më: 17 gusht 2019 Në ora: 12:17
Shpend Ahmeti dhe Ramush Haradinaj

AAK e Ramush Haradinaj dhe PSD e Shpend Ahmetit si duket do të jenë partitë e para që do të zyrtarizojnë garën në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke shkuar me koalicion parazgjedhor. Të dy nga këto parti kanë konfirmuar për Gazetën Express se janë në bisedime, derisa, të hënën thanë se do të flasin me Këshillat Drejtues për koalicionet e mundshme.

Në media sot gjatë ditës, doli lajmi se PSD e Shpend Ahmetit dhe AAK e Ramush Haradinaj në zgjedhje të jashtëzakonshme do të shkojnë së bashku me një koalicion parazgjedhor.

Lidhur me këtë çështje, Express ka kontaktuar të dy partitë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partinë Social Demokrate.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë se të dy partitë kanë qenë në bisedime, dhe deri më tani kanë një afrim të qëndrimeve. Megjithatë, ai shton se ende nuk është vendosur asgjë.

“Të dy partitë kanë qenë në bisedime për një koalicion të mundshëm parazgjedhor dhe e di që ka përafrim qëndrimesh. Por, asgjë nuk është vendosur ende. Aleanca e ka mbledhjen e Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues të hënën dhe vendimet merren aty. Ma merr mendja që e njëjta procedurë zbatohet edhe në PSD”, tha Nitaj.

Në anën tjetër edhe në PSD po deklarohen njëjtë.

Duke folur  zëdhënësja e partisë, Natyra Kuçi se momentalisht nuk kanë marrëveshje me askënd, e shton se të hënën do të mbledhin Këshillin Drejtues edhe në PSD.

“Aktualisht nuk ka kurrfarë marrëveshje zgjedhore me askënd. Ajo cka mund të them është se të hënën mbahet Këshilli Drejtues i PSD-së, ku do të diskutohet lidhur me çështjet zgjedhore”, ka thënë Kuçi.

Afërsia mes këtyre dy subjekteve politike ka qenë e dukshme dhe koalicioni parazgjedhor nuk është përjashtuar nga zyrtarët e partive edhe në deklarimet e mëparshme.

Që nga dorëheqja e Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit është folur për një koalicion AAK-PSD-NISMA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat