Incidenti mes grupit të Tahir Zemajt dhe Ramush Haradinajt në Gllogjan: Kush ishte “Togeri” që filloi rrahjen i pari?

Aktuale

Incidenti mes grupit të Tahir Zemajt dhe Ramush Haradinajt në Gllogjan: Kush ishte “Togeri” që filloi rrahjen i pari?

Nga: N.Sh Më: 17 gusht 2019 Në ora: 16:30
Tahir Zemaj dhe Ramush Haradinaj

Në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”, përmendet një incident i cili ka ndodhur si pasojë e fërkimeve, i cili jo veç Zemajn, por gjithë rajonin e Dukagjinit e ka mllefosur.

 “Me 4 korrik 1998 urdhërova që ushtarët Ismet Çeku, Idriz Ukhaxhaj. Petrit Lokaj dhe Azem Gashi të kryenin detyrën e pranimit që erdhi nga Shqipëria në fshatin Pacaj. Gjatë rrugës, në fshatin Irzniq kanë hasur në pengesa nga një njësit i UÇK-së, i komanduar nga një person me pseudonimin “Toger””, thuhet në libër.

 Zemaj shkruan se, grupi i tij nuk ishte i njohur me atë pseudonim dhe atë person.

“Sipas dëshmive të ushtarëve, ata janë urdhëruar të paraqiten në shtabin e UÇK-së në Gllogjan. Aty, Ismet Çeku ka deklaruar se Haradinaj e ka pritur mirë duke i thënë se “ti nuk ke nevojë për leje dhe mund të vazhdosh rrugën bashkë me luftëtarët e tjerë”, por sapo ka dalë, ka filluar një ngatërresë, gjatë së cilës dy ushtarë janë plagosur me armë zjarri, ndërsa dy të tjerët janë lënduar nga dhunimi fizik”, shkruan në libër.

 Sipas librit thuhet se, ushtarët kanë deklaruar se në aktin e plagosjes ka marrë pjesë edhe vet Ramush Haradinaj.

“Fillimisht ushtarët janë goditur me sende të forta nga “Togeri”, por edhe nga Ramushi bashkë me vëllain e vet. Më pas luftëtarët janë detyruar nga këta persona të largohen nga Gllogjani dhe të kthehen në drejtim të Isniqit. Ata janë zhveshur dhe detyruar të ecin para një makine që i ndiqte nga prapa, makinë të cilën e ngiste “Togeri”. Në Isniq kanë mbërritur rreth orës 22, pas pak ka mbërritur edhe Ismet Çeku i plagosur në krah të djathtë me armë zjarri, Azem Gashi në këmbën e djathtë po me armë zjarri, Idriz Ukëhaxhaj i lënduar në pjesën e prapme të kokës, Petrit Lokaj me lëndime më të lehta”, thotë Zemaj në libër.

 Sipas tij, në deklaratat e tyre thuhet se sulmuesit i kanë fyer rëndë dhe se gjatë kohës kanë përdorur shprehje ofenduese në drejtim të Institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Menjëherë, bashkë me disa bashkëpunëtorë, jam nisur për në Gllogjan për të sqaruar ngjarjen. Në bisedë me Ramushin, ai ka kërkuar falje dhe i ka arsyetuar ato veprime si një gabim, që kishte rrjedhë nga disa sjellje të luftëtarëve – krejtësisht një gjë e paqartë. Duhet saktësuar edhe njëherë se luftëtarët kanë mbërritur në Isniq të zhveshur, të gjakosur, pa automjetin, pa paratë që kishin marrë me vete, para personale. Më vonë, Ramushi m’i ktheu rrobat e ushtarëve, por jo paratë, automjetin dhe armatimet. Ky incident, kaq i rëndë, ra në sy për shumë keq në të gjithë Rrafshin e Dukagjinit, madje ka shkaktuar një tronditje shumë të madhe. Personalisht kam qenë tepër i fyer, i lënduar nga ky incident. Ë mendimet e mia vinin gjithfarë idesh, por një s’e kam lejuar kurrë t’i afrohet mendjes time: kundërpërgjigjen me forcë ! Kam pasur mundësi dhe forca të mjaftueshme për t’u përballur me ta, por i isha betuar vetvetes, që forcat e mia do të përdoreshin vetëm për luftë kundër okupatorit”, thuhet në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat