Quinti, Serbia, Kosova - Bota Sot
Quinti, Serbia, Kosova

Aktuale

Quinti, Serbia, Kosova

Më: 17 gusht 2019 Në ora: 18:14
Foto ilustrim

Vendet e Quintit i bënë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të rigjallërojnë dialogun dhe theksuan, që Prishtina duhet të heqë taksën, ndërsa Beogradi të ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në deklaratën e përbashkët të qeverive të SHBA, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Gjermanisë thuhet se vendet e Quintit janë të bashkuara në synimin për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht obliguese, që do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit. Status quoja pamundëson përparimin e Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE dhe pas viteve të stanjacionit ka ardhur koha që t‘i jepet fund konflikteve të viteve 90-të, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.

Ekuilibri i rremë 

Mesazhi i vendeve të Quintit në Beograd interpretohet si një lloj presioni, por edhe si tregues, se shteteve anëtare të Quintit në një farë mënyre u ka ardhur në majë të hundës me problemin e Kosovës dhe se ata do të donin që ky problem të zgjidhet sa më parë. Megjithatë në vetë mesazhin nuk dëgjohet asgjë që të mos jetë thënë në takimet e shumta bilaterale të politikanëve perëndimorë dhe liderëve lokalë në Beograd e Prishtinë e ndoshta kjo është edhe arsyeja për qëndrimin gjakftohtë të shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiç, që mendon se „i është dhënë shumë rëndësi deklaratës së Quintit dhe se këto takime nuk kanë qenë në nivel të lartë“. Drejtori i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë Marko Gjuriç gjithashtu vlerëson, se në këtë deklaratë nuk ka asgjë të re për Serbinë e se do të ishte surprizë, „nëse vendet e Quintit do t‘i thonin Prishtinës se do të përdorin mekanizmat e Ceftës për të bërë presion që të heqin taksën“. Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare për dikë është nënë e për dikë është njerkë, shtoi Gjurić, sepse për shkak të problemeve në Prishtinë i bëhet presion shtesë palës serbe

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiç shton, se deklarata e Quintit po përpiqet të bëjë një barazpeshim të rremë dhe thekson se sipas kësaj deklarate, „pala kosovare ka të drejtë të vendosë taksën, sepse Serbia zhvillon fushatë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Po çfarë janë atëherë taksat ndaj Bosnjë Hercegovinës, a bën edhe ajo vallë fushatë kundër njohjeve“, pyeti Daçiç. Deklarata e Quintit është komentuar edhe nga ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan Harçenko, i cili thotë: „si nuk vërejtëm asgjë të re apo inkurajuese në deklaratën e vendeve të të ashtuquajturit Quinti. Mendojmë se po krijohen paraprakisht kushtet që Beogradi të fajësohet edhe një herë për dështimin e dialogut“. Kryetari i PDK-së në pushtet në Kosovë, Kadri Veseli, përshëndeti përpjekjet e Quintit dhe i bëri thirrje BE, që të „ndërpresë përpjekjet kolonizuese serbe dhe të dënojë kriminelët serbë të luftës“, përcjellin mediat e Beogradit.

Kush e pengon normalizimin?

Serbia askund nuk është zotuar se do të punojë për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës, komenton për DW deklaratën e Quintit analisti politik Dragomir Angjelkoviç:

„Mendoj se është deklaratë jokorrekte e Quintit, sepse nuk mund të vendosin në një nivel të drejtën sovrane të një shteti dhe vendosjen e taksës nga ana e Prishtinës. Nëse qëllimi i procesit të Brukselit është normalizimi i marrëdhënieve, atëherë shqiptarëve u duhet tërhequr vëmendja se pengojnë normalizimin e marrëdhënieve në rajon dhe ndalojnë shkëmbimin tregtar“, vlerëson Angjelkoviç.

Mediat e Beogradit prej ditësh tërheqin vëmendjen se Amerika po përfshihet në mënyrë gjithnjë e më aktive në procesin e Kosovës dhe deklarata e Quintit shihet si një lëvizje tjetër në këtë drejtim. Sipas tyre administrata e presidentit amerikan Donald Trump është shumë e interesuar që çështja e Kosovës të zgjidhet para përfundimit të mandatit të tij të parë, me qëllim që këtë sukses të politikës së jashtme ta shfrytëzojë në fushatën e zgjedhjeve presidenciale atje, por edhe si një tjetër shuplakë politike për Evropën me mesazhin, se asnjë problem nuk zgjidhet, derisa të mos i marrë në dorë gjërat Amerika.

Nuk ka gatishmëri për marrëveshje

Këtë e thekson për DW edhe Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit të Çështjeve Evropiane, i cili thotë, „se ftesa e Donald Trumpit që liderët e Serbisë dhe Kosovës të vijnë në Shtëpinë e Bardhë dhe të festojnë marrëveshjen, duket se qendron ende. Po kam frikë se në këtë moment Serbia dhe Kosova nuk kanë në politikë atë kapacitet udhëheqës, që është i gatshëm të arrijë marrëveshjen. Përsa i përket Beogradit kam përshtypjen se autoritetet serbe sikur nuk duan që kjo çështje të zgjidhet përgjithmonë, sepse pastaj në rend të ditës do të dilte ndonjë çështje tjetër e brendshme, e kjo mund të nënkuptonte ndoshta fundin e një regjimi politik.“

Opinioni politik në Serbi nuk e ka pritur me shumë optimizëm deklaratën e Quintit, sepse konsideron që pala serbe dhe ajo shqiptare i kanë çimentuar pozicionet e tyre, dhe që edhe përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare kanë efekt të kufizuar. Pa dyshim ka edhe nga ata, që në deklaratën e Quintit shohin fillimin e presioneve të tjera ndaj Beogradit dhe Prishtinës, por edhe këtu tërhiqet vemendja tek fakti se është fjala për vende, që e kanë njohur Kosovën. Nëse kësaj i shton edhe faktin se në Kosovë, në Serbi, e madje edhe në Amerikë, priten zgjedhje, krijohet përshtypja se për zgjidhjen e problemit të Kosovës do të pritet akoma. Kujtojmë se këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, John Bolton, e ka shtyrë vizitën e tij në rajon për shkak të situatës së paqëndrueshme politike në Kosovë dhe në Beograd vlerësohet se ndoshta për të njëjtat arsye mund të anulohet edhe takimi në Paris për Kosovën.  

Prishtina pa presion

Dragomir Angjelkoviç vëren se Prishtina nuk është përballur kurrë me presione, që mund ta dëmtonin, dhe se nuk sheh tjetër mënyrë, që Prishtina të sillet në mënyrë konstruktive: „Flas për masa që do t‘i drejtoheshin elitës politike të tyre, apo ekonomisë së Kosovës, dhe vetëm nëse ndjejnë ndonjë lloj sanksioni mund të bëhen kooperativë. Përsa i përket Beogradit, nuk besoj se është në interesin e Perëndimit të hapë një front të ri kundër Serbisë, në radhë të parë se Serbia nuk ka asnjë lloj faji për ndërprerjen e dialogut, kështu që edhe këtu nuk pres presione të tjera në muajt në vijim. Dhe për shkak të zgjedhjeve të ardhshme vitin që vjen nuk pres ndonjë dinamikë të veçantë rreth Kosovës“, thotë Angjelkoviç.  

Një problem që zgjat shumë

Mesazhi themelor i kësaj deklarate të Quintit duket shumë i qartë, mendon Naim Leo Beshiri: „Ai është shumë specifik për politikanët e të dyja palëve, të cilët paralajmërohen se ky problem po zgjat shumë dhe zgjidhja e tij është në interes të dy entiteteve. Moszgjidhja e këtij problemi pamundëson përparimin e mëtejmë të integrimit evropian, e kjo ka si pasojë ndikim në standardin e qytetarëve dhe në pozicionin politik të Serbisë dhe Kosovës. Perveç se ndoshta Rusisë kjo status quo nuk i intereson askujt“, përfundon Beshiri./DW

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...