Pse emri i Tomorr Morinës figuron në listën e veteranëve të rrejshëm?

Aktuale

Pse emri i Tomorr Morinës figuron në listën e veteranëve të rrejshëm?

Më: 18 gusht 2019 Në ora: 16:28
Tomor Morina

Tomorr Morina, ish-ushtari i UÇK-së ditë më parë është liruar nga autoritet e Maqedonisë së Veriut. Ai po mbahej me fletë-arrest të lëshuar nga Serbia, nën dyshimin që dy dekada më parë ka kryer krime lufte. Megjithëse Morina është kthyer në Kosovë, pasaporta e tij po vazhdon të mbahet në Gjykatën e Maqedonisë së Veriut. E përveç kësaj emri i Morinës figuron edhe në listën e rrejshme të veteranëve. 

Morina ka bërë me dije se emri i tij ndodhet edhe në listën e veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, ndërkohë për të është lëshuar fletë-arrest nga Serbia për krime lufte.

Ai për Kosovapress ka thënë se nuk e di pse ndodhet në listën e veteranëve të rrejshëm, ndërkohë thekson se listat janë fryer dhe për këtë duhet të mbahen përgjegjës edhe komandantët e zonave, edhe vet të gjithë pjesëtarët e UÇK-së.

“Nuk e di pse jam në listë të veteranëve të rrejshëm, por për fryrjen e listave, nuk është në rregull, nëse nuk ke qenë në lutë nuk ke qenë, ose nëse ke qenë në luftë një ditë ose një javë, ke qenë në luftë, sepse në luftë kur shkon vritesh për një orë ose minutë. Por fryrje të listave ka, ajo është e dëmshme për vet luftëtarët, për shkak se kur fryhet lista, edhe të ardhurat për ata që janë në gjendje të keqe sociale, ju e dini pas luftës ka pasur shumë vetëvrasje të ushtarëve të UÇK-së, ato kanë ndodhë për shkak se ata nuk janë kyçur nëpër parti politike, nuk kanë pasur rrugëdalje, kanë jetuar në mënyrë të keqe, kanë qenë të anashkaluar, prej të gjitha qeverive. Është dashur më bë më shumë për veteranët e luftës, me zbutë varfërinë”, thotë ai.

Tomor Morina, i cili ditë më parë u lirua nga paraburgimi në Maqedoninë e Veriut, ku u mbajt për 20 ditë, thotë se duke e ditur që është i pafajshëm, e ka pasur parasysh që do të lirohet, meqë sipas tij aktakuzat nuk kanë bazë.

Morina thotë se Maqedonia e Veriut nuk duhet të lëshojë fletë-arreste serbe kundër luftëtarëve të Kosovës sepse lufta e UÇK-së ka qenë e pastër.Ai thotë se Serbia është fajtore dhe se ata nuk do të lënë të qetë asnjëherë kombin shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat