Vonesa në Aeroportin e Prishtinës, shkaku i grevës së punëtorëve

Aktuale

Vonesa në Aeroportin e Prishtinës, shkaku i grevës së punëtorëve

Më: 19 gusht 2019 Në ora: 07:23
Pamje nga Aeroporti

(E plotësuar) - Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sot kanë mbajtur grevën një orëshe ashtu siç e kanë paralajmëruar ditë më parë, por kjo grevë që zgjati deri në orën 09:00, ka krijuar tollovi të madhe dhe vonesa disa orëshe edhe tek qytetarët që po prisnin për të udhëtuar.

Punëtorët përmes kësaj greve po kërkojnë kompensim dhe benifite tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesa e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesën e shujtës.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bashkim Latifi duke e quajtur të suksesshme grevën e sotme, i ka quajtur normale edhe tollovit e shkaktuara në aeroport.

Ai thotë se nëse nuk reflekton menaxhmenti greva do të vazhdojë edhe nesër e cila do zgjas 2 orë, e më pastaj edhe greva gjithë ditore gjatë ditës së mërkurë.

Latifi: Greva ka qenë e suksesshme, besoj që mesazhin tonë e ka kuptuar menaxhmenti i Aeroportit të Prishtinës

“Gjendja erdhi deri ku erdhi deri tek greva, greva u mbajt 1 orëshe dhe ne konsiderojmë se e suksesshme ka qenë, mesazhi jonë ka shkuar në vend, besoj që menaxhmenti duhet ta kuptoj këtë mesazh që i kemi dhënë sot që reflektojnë që nesër mos të ketë ndërprerje dy orëshe....Ka qenë normale ajo sepse kanë qenë të gjithë punëtorët në grevë me përjashtim të menaxhmentit dhe menaxhmenti me të gjithë fuqinë e vet u mundua të punoj vet fizikisht në punët që nuk i takojnë dhe ajo ka qenë normale që do ketë tollovi dhe vonesa”, tha Latifi.

Në anën tjetër tollovinë e shkaktuar dhe vonesat e shumta në fluturime i ka arsyetuar zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, e cila tha se këto vonesa kanë ndodhur pasi që njëri nga grevistët ilegalisht e ka ndërprerë shiritin e valixheve.

Teksa ka siguruar se edhe në ditët në vijim gjithçka do jetë nën kontroll dhe se fluturimet do realizohen me kohë, Gara tha se do ndërmarrin masat e nevojshme për këtë gjë.

Gara: Tollovia u shkaktuar pasi që një grevistë ilegalisht e ka ndërprerë shirtin e valixheve

“Ne kemi paralajmëruar se nuk do të ketë ndikim në fluturime, tollovia e shkaktuar fillimisht është nga fluturimi i cili është paraparë që është paraparë të realizohet dje, ndërkaq është shtuar sot, po ashtu pse ka pasur grevë ne kemi punuar me kapacitet të plota, ne i kemi pasur të gjithë punonjësit në dispozicion për t’i kryer shërbimet e fluturimeve , mirëpo dikush ilegalisht e ka ndërprerë shiritin e valixheve , kështu që në këtë mënyrë edhe ka penguar fluturimet...Edhe në ditët në vijim edhe përkundër grevës ne jemi mjaftë të bindur se të gjitha fluturimet do të realizohen meqenëse sot është bllokuar për shkak se dikush ilegalisht e ka ndërprerë shiritin e valixheve”, tha Gara.

Gara tutje ka demantuar Sindikatën e Pavarur të Aeroportit të Prishtinës të cilët kanë thënë se nuk po ofrohet dialog nga menaxhmenti. E për këtë ajo tha se përpos përgjigjeve të dhëna me shkrim, është caktuar edhe një menaxher i lartë që të merren me këtë çështje.

Lidhur me akuzat që ka hedhur  menaxhmenti i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës”, për ndërprerjen e shiritit të valixheve, kryesindikalisiti i punëtorëve të Aeroportit, tha se menaxherët janë mundur që punonjësit t’i detyrojnë ta vazhdojnë punën përkundër që kanë qenë në grevë.

E për menaxherin e caktuar për dialog, ai tha se nuk është i duhuri dhe se nuk e përfaqëson menaxhmenin e Aeroportit të Prishtinës.

Latifi: Menaxhmenti po e vazhdon avazin e vjetër

“Menaxhmenti po të ishte më i kthjellët dhe me qenë më i arsyeshëm nuk e kishte lënë me ardhur në këtë gjendje, mirëpo edhe me këso gjërash po e vazhdon avazin e vjetër sepse punëtorët nuk kanë dashur të punojnë dhe menaxherët e tyre me dhunë kanë dashur ta fusin të punoj me zor, dhe ajo është e ndaluar sepse është e drejtë e secilit punëtor të jetë grevist...Ai menaxher që është i nivelit shumë të ulët që nuk mund ta përfaqësoj menaxhmentin, neve e kemi pranuar, mirëpo kur i kemi kërkuar autorizim  ka thënë unë se përfaqësoj vetëm mundeni përmes emailit tim”, u shpreh kryesindikalisti.

Në anën tjetër, udhëtarët që po prisnin që të udhëtonin drejt destiancioneve të tyre u shprehen tejet të mllefosur me këtë gjendje.

Riza Muriqi, i cili ka dy ditë që pret për të udhëtuar drejt Zvicrës, tha se bashkatdhetarët nuk kanë faj për gjendjen e punëtorëve.

Ai apeloi që ata që kanë pakënaqësi t’i drejtohen udhëheqësve të vendit për të gjetur zgjidhje, e jo të shkaktohen këso tollovi.

Muriqi: Sot është bërë tollovi e madhe në aeroport, nuk u kemi faj ne bashkatdhetar

“Tollovi shumë e madhe, ne biletën e kemi pasur për dje në orën 08:00, dje kemi ardhur kemi pritur këtu deri në orën 12:00, nuk përgjigjet askush për ne, biletat i marrin nga 700 franga, biletën e kam me Prishtina Reisen, ata na thonë se është prishur aeroplani  pastaj kemi pritur deri në orën 12:00.. Është dashur me i nxjerr biletat tjera sot kam ardhur prapë, prapë shikoni çfarë tollovie është, thonë jemi në grevë, ne faj nuk iu kemi për grevë, le të shkojnë tek Hashim Thaçi, tek qeveria se ne jemi bashkatdhetarë”, tha Muriqi.

Edhe Halim Morina tejet i nervozuar me gjendjen e krijuar, thotë se bashkëshortja e tij për shkak të vonesës për fluturim do e humb kontrollin  mjekësore.

Morina: Marre i çoftë shtetit që po sillet kështu me bashkatdhetarët

“A nuk është marre për ne 20 mijë frang i kam dhënë për këtë vend, shoqja jem e ka kontrollën në orën 14:00, unë me ndenj këtu në aeroport a nuk është marre, marre iu çoftë të gjithë shtetit që po na bënë kështu..Kush do me dhënë përgjigje askush, shkoj aty thotë nuk ka përgjigje,shkoj këtu nuk ka përgjigje , policia mua më thonë mos bërtit, si mos të bërtas”, deklaroi ky bashkatdhetar.

Kujtojmë që punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ”Adem Jashari”, kanë mbajtur greva dhe protesta edhe javë më parë, ndërsa për nesër kanë paralajmëruar një grevë dy orëshe, e cila do nis në orën 08:00. 

***

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", sot kanë mbajtur një grevë një orëshe, grevë kjo e cila ka shkaktuar tollovi dhe vonesa për fluturime.

Punëtorët përmes kësaj greve po kërkojnë kompensim dhe benifite tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesa e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesa e shujtës.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit të Prishtinës, Bashkim Latifi tha se greva ka shkuar ashtu siç edhe është planifikuar dhe se përmes kësaj greve kanë dërguar mesazhet e tyre te menaxhmenti i Aeroportit të Prishtinës.

Image

Ai ka paralajmëruar se nëse nuk reflektojnë karshi kërkesave të tyre, greva do vazhdoj tutje edhe nesër ku do protestojnë dy orë dhe po ashtu edhe të mërkurën ku greva do vazhdoj gjatë tërë ditës.

Ndërsa për pengesat dhe vonesat në procesin e punës së aeroportit, zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara tha se janë shkaktuar, pasi që një grevistë ilegalisht e ka ndërprerë shiritin e bagazhit dhe kjo pastaj ka shkaktuar telashe.

Sipas saj, këtë tollovi e ka shkaktuar edhe anulimi i një fluturimi që ka ndodhur dje.

Në anën tjetër, udhëtarët që po prisnin që të udhëtonin drejt destiancioneve të tyre u shprehen tejet të mllefosur me këtë gjendje.

***

Ka nisur greva e punëtorëve në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.

Kjo grevë e punëtorëve që zgjati deri në orën 09:00 për një orë ka krijuar tollovi të madhe edhe tek qytetarët që po prisnin për të udhëtuar.

Ndryshe, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka njoftuar se përkundër grevës së paralajmëruar, të gjitha fluturimet e planifikuara për datat 19 deri më 21 gusht, do të realizohen në kohë.

Image

Kujtojmë që edhe nesër do të ketë grevë dy orësh duke filluar prej orës 08.00-10.00, si dhe më datën 21 do të mbajmë grevë gjithë-ditore”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të ANP ‘Adem Jashari’.

***

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë pritet të mbajnë sot serish grevë, pasi përpjekjet për të dialoguar me menaxhmentin rreth kërkesave të tyre deri më tash nuk kanë treguar rezultate.

“Punëtorët janë të vendosur në kërkesat e tyre për çka edhe kanë vendosur përmes delegatëve të tyre të shkojnë në grevë, siç kemi paralajmëruar në protestën paqësore të datës 8 gusht, se më datën 19 gusht do të kemi grevë njëorëshe duke filluar prej orës 08.00- 09.00 dhe më datë 20.08.2019 grevë dy orësh duke filluar prej orës 08.00-10.00, si dhe më datën 21 do të mbajmë grevë gjithë-ditore”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të ANP ‘Adem Jashari’.

Në grevë do të marrin pjesë të gjithë punëtorët e shërbimeve që nuk janë të rëndësisë jetike.

Sindikalistët e Aeroportit kanë ftuar menaxhmentin që të koordinohet me sindikatën për të caktuar minimumin e shërbimeve, në mënyrë që të garantohet siguria dhe të evitohet çfarëdo rrezikimi i jetës dhe sigurisë.

Gjithashtu theksohet se greva do ndërpritet në ndonjë rast emergjent.

Sindikata edhe njëherë ka ftuar menaxhmentin në dialog, në mënyrë që greva të ndalohet.

Punëtorët, të përfaqësuar nga Sindikata e Pavarur, kanë paralajmëruar masa të tilla, shkaku i pakënaqësive në trajtimin e punëtorëve, pasi ka pasur raste ata janë gjobitur nga menaxhmenti deri me 16 mijë euro, ndërkohë për shkak të kushteve jo të mira, rreth 100 punëtorë kanë lëshuar punën.

Kërkesat e sindikalistëve janë shtesat e rrezikshmërisë për detyra me ekspozim direkt në dëmtim të shëndetit, pushimi vjetor, eliminimin e dallimeve në paga, si dhe shujta.

Ndryshe, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka njoftuar se përkundër grevës së paralajmëruar, të gjitha fluturimet e planifikuara për datat 19 deri më 21 gusht, do të realizohen në kohë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat