A do të nënshkruhet sot koalicioni AAK-PSD?

Aktuale

A do të nënshkruhet sot koalicioni AAK-PSD?

Më: 19 gusht 2019 Në ora: 07:33
Ramush Haradinaj dhe Shpend Ahmeti

Sot nënshkruhet koalicioni parazgjedhor mes AAK-së së Ramush Haradinajt dhe Partisë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit, kurse do të zyrtarizohet më datë 21 gusht, pra një ditë para mbajtjes së seancës për shpërndarjen e Kuvendit.

Të dyja palët janë dakorduar që të hënën ta bëjnë publike atë në një konferencë për media pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.

Afërsia mes këtyre dy subjekteve politike ka qenë e dukshme dhe koalicioni parazgjedhor nuk është përjashtuar nga zyrtarët e partive edhe në deklarimet e mëparshme.

Partia Socialdemokrate fillimisht e votoi buxhetin e Kosovës duke plotësuar numrin e nevojshëm për votim në Kuvendin e Kosovës duke ndihmuar në njëfarë forme Ramush Haradinajn edhe për të mos u  rrëzuar nga Qeveria.

Sekretari Organizativ i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një deklarim të fundit për medie ka bërë të ditur se preferon një koalicion parazgjedhor me Nismën, AKR-në dhe me AAK-në ose LDK-në, ose të gjitha këto parti bashkë.

Ndërkaq, Visar Ymeri, nënkryetari i kësaj partie, ka konfirmuar për medie se janë në bisedime serioze me AAK-në.

“Kemi pasur dhe kemi diskutime. Deri tashmë kemi biseduar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por nuk kemi të definuar dhe të nënshkruar asgjë. Javën e ardhshme besoj se gjërat do të qartësohen më shumë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat